25 Shkurt 2022

Avokatja E Popullit Takohet Me Drejtorin E Përgjithshëm Të Policisë


AVOKATJA E POPULLIT TAKOHET ME DREJTORIN E PËRGJITHSHËM TË POLICISË

Ditën e sotme, datë 25.02.2022, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano.

Në takim ishin të pranishëm Ermonela Xhafa, Komisionere e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe Ermonela Ruspi, Komisionere e Seksionit të Veçantë, pranë Avokatit të Popullit.

Takimi kishte në fokus të tij diskutimin mbi çështje rregullatore të bashkëpunimit midis dy institucioneve si dhe diskutime mbi shqetësime të hasura gjatë punës së institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me garantimin e te drejtave te njeriut në këndvështrimin e organeve ligjzbatuese.

Konkretisht, u diskutua lidhur me inspektimin e ambienteve të Policisë së Shtetit, duke u ndalur veçanërisht në ligjshmërinë e procedurave të shoqërimit, ndalimit apo arrestimit të shtetasve në këto ambiente, kushtet dhe trajtimin e tyre brenda komisariateve, problematikat infrastrukturore dhe materiale të tyre, trajtimin shëndetësor të të ndaluarve/shoqëruarve, si dhe respektimin dhe pajisjen me kartën e të drejtave të njeriut për të gjithë personat e ndaluar/ shoqëruar, problematika të ngritura edhe në raportin e CPT-së gjatë vizitës së tij inspektuese më të fundit në Shqipëri në nëntor të vitit 2018.

Gjithashtu u diskutua mbi trajtimin e ankesave individuale të shtetasve sa i përket veprimeve/mosveprimeve të punonjësve të policisë si dhe rekomandimet përkatëse për përmirësimin e punës në këtë drejtim.

Drejtori i Përgjithshem i Policisë shprehu gatishmërinë për rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe dhënies të një rëndësie të veçantë rekomandimeve që dërgon Avokati i Popullit pranë organeve të Policisë së Shtetit.