Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Tryezën E Rrumbullakët Mbi Procesin E Vettingut
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët në kuadër të Muajit të Angazhimit të Shoqërisë Civile për Integrimin Europian.
Gjatë aktivitetit u diskutua në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet kryesore të pasqyruara në dokumentin e politikave: “Procesi i rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në kuadër të detyrimeve për integrim në Bashkimin Europian”.
Ndër të tjera me një fokus të veçantë diskutimet u përqëndruan në ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të vettingut në këndvështrim të detyrimeve kryesore që burojnë nga procesi i integrimit europian.
Në tryezë merrnin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të institucioneve publike nga Kuvendi i Shqipërisë , Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, të cilët ndanë në këtë aktivitetet vlerësimet e tyre si dhe adresuan rekomandime specifike me rëndësi të veçantë në funksion të përmirësimit të procesit të rivlerësimit si një proces i cili kontribuon në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca vlerësoi arritjet e Reformës në Drejtësi si rritja e standardit të zbatimitt të ligjit apo fundi i pandëshkueshmërisë dhe nga ana tjetër u ndal në disa problematika të hasura gjatë procesit të vetingut.
Ajo nënvizoi nevojën që arritja e këtij standardi të lartë në vlerësimin dhe analizën e kandidatëve për gjyqtarë e nëpunës të tjerë të drejtësisë, të shndërrohet në një kulturë të përgjithshme në vend, jo vetëm në sektorin e drejtësisë.
Po ashtu Avokatja Ballanca tërhoqi vëmendjen që financimet për drejtësinë të rriten, pasi edhe cilësia dhe intensiteti i punës gjatë procesit të vettingut, dëshmoi se nuk mund të ruhet e njëjta cilësi e intensitet edhe në zbatimin praktik të drejtësisë nga gjyqtarët që dalin prej këtij procesi, nëse institucionet e tyre nuk financohen në mënyrë të ngjashme.