Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Tryezën E Diskutimeve Mbi Mbrojtjen E Lirisë Së Shtypit Dhe Gazetarëve
Numri në rritje i kërcënimeve dhe sulmeve offline dhe online ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias gjatë viteve të fundit dëshmon nevojën imediate për të garantuar një siguri dhe mbrojtje më të mirë të gazetarëve në përputhje me standardet evropiane. Kjo u theksua gjatë diskutimit publik me temë “Siguria dhe mbrojtja e gazetarëve: standardet dhe adresimi i sfidave të përbashkëta” të mbajtur sot në Tiranë.
Eventi mblodhi gazetarë të shquar, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të lartë të gjyqësorit, agjenci ligjzbatuese, organe të barazisë dhe shoqërisë civile për të diskutuar sfidat kryesore që lidhen me mbrojtjen e gazetarëve dhe masat mbrojtëse të rëndësishme për punën e gazetarit.
Avokati i Popullit i cili i kushton një rëndësi të veçantë të drejtave të gazetarëve dhe ka ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë me mediat edhe në kuadrin e “Aleancës kundër gjuhës së urrejtjes” ku bën pjesë, ishte pjesëmarrës në këtë tryezë.
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca duke adresuar të pranishmit foli mbi rëndësinë që institucionet ta respektojnë misionin informues të gazetarëve dhe sigurisht mbi ndaljen e kulturës së intimidimit apo sulmeve mbi gazetarët. “Nga ana tjetër është e nevojshme që edhe komuniteti i medias të kuptojë rëndësinë e misionit të vet e ta ruajë atë nga shpërdorimi e keqpërdorimi” u shpreh Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.
Në fjalën e tij ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca tha: “Gazetarët duhet të ndihen të sigurt për të punuar. Pa lirinë e medias, nuk ka shoqëri të lira dhe demokratike. Liria e shprehjes dhe liria e medias janë standardet kryesore me të cilat BE-ja vlerëson përparimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE.”
Nga ana e saj, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, Jutta Gützkow, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet publike dhe rolin e tyre për të siguruar një mbrojtje më të mirë për gazetarët. “Shpresoj që diskutimi i sotëm të theksojë angazhimin e autoriteteve shqiptare për të përmirësuar masat mbrojtëse në mënyrë që aktorët e medias dhe gazetarët të punojnë në mjedise të sigurta.” tha Gützkow.
Diskutimi në këtë tryezë të rrumbullakët synonte përfshirjen e mëtejshme të autoriteteve shqiptare për të përmbushur standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e masave mbrojtëse për sigurimin e një mjedisi të sigurt pune për gazetarët.
Diskutimi i tryezës së rrumbullakët paraqiti gjithashtu standardet dhe detyrimet pozitive për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës (KE) që rrjedhin nga neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e shprehjes, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe instrumente si Platforma për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve. Një panel gazetarësh shqiptarë ndanë përvojat e tyre të kërcënimeve dhe intimidimeve.