11 Dhjetor 2021

Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Tryezën Konsultative Mbi Minimumin Jetik Në Shqipëri


AVOKATI I POPULLIT MERR PJESË NË TRYEZËN KONSULTATIVE MBI MINIMUMIN JETIK NË SHQIPËRI

Avokati i Popullit mori pjesë në një tryezë konsultative mbi miratimin e minimumit jetik organizuar nga shoqëria civile, shoqata “Drejtësi sociale” me mbështetjen e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur dhe pjesëmarrjen e organizatave të tjera në sektorin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Institucioni u përfaqësua nga Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm Vilma Shurdha, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë që Institucioni i Avokatit të Popullit i jep çështjes së Minimumit jetik, të cilit madje i ka kushtuar edhe një studim të cilit po i referohen përditë e më shumë aktorë të ndryshëm e grupe presioni që advokojnë për miratimin e një minimumi jetik në vendin tonë.

“Avokati i Popullit do të vijojë pa ndërprerë punën për të mobilizuar vëmendjen dhe mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrive të linjës, për të bërë të mundur që të fillohen dhe finalizohen proçeset legjislative që çojnë tek adoptimi i Minimumi Jetik si instrumenti ligjor, në bazë të të cilit ndërtohet dhe garantohet mbrojtja sociale ndaj shtresave në nevojë në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh komisionerja Shurdha në këtë takim.