9 Dhjetor 2021

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Tryezën Rajonale Të Të Drejtave Të Njeriut


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË TRYEZËN RAJONALE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë në një tryezë rajonale për institucionet e pavarura të barazisë dhe të të drejtave të njeriut të organizuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Përfaqësues nga Ballkani Perëndimor diskutuan, në një takim me prani fizike dhe online, për rolin dhe ndërveprimin mes tyre lidhur me proceset gjyqësore.

Tryeza u dha pjesëmarrësve mundësinë të shkëmbenin përvojën dhe praktikat e mira, si edhe të forconin bashkëpunimin rajonal mes tyre. Po ashtu, ajo shërbeu për rritjen e ndërgjegjësimit për detyrimet që kanë qeveritë për mbrojtjen nga diskriminimi dhe promovimin e punës së institucioneve të të drejtave të njeriut.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha: “Është e rëndësishme që Avokati i Popullit dhe institucionet e të drejtave të njeriut të tregohen të matura me ushtrimin e kompetencave të veta të cilat nuk janë ekzekutive. Ne duhet të jemi histori suksesi, sepse mungesa e suksesit tonë është dëmtues për vetë autoritetin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona e për vetë kauzën e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Në këtë mision ne duhet të dëshmojmë një model më të drejtë të ushtrimit të kompetencave, çka përfshin edhe një vlerësim të qëllimit për të cilin kemi marrë këtë mandat.”.

Në takim merrnin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë Hercegovina dhe Mali i Zi.