Avokatja E Popullit Të Shqipërisë Zgjidhet Në Këshillin Administrativ Të Shoqatës Së Ombudsmanëve Frankofonë
Në datën 25 nëntor 2021 zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve Frankofonë (AOMF), e cila këtë herë për shkak të pandemisë u zhvillua në mënyrë virtuale.
Kjo organizatë përmbledh institucionet e pavarura të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve, të rreth 50 shteteve frankofone, nga kontinentet e Europës, Afrikës, Amerikës dhe Oqeanisë.
Objekti i punës së AOMF-se është promovimi i rolit të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve në hapësirën Frankofone; promovimi dhe mbrojtja e demokracisë, shtetit të së drejtë dhe paqes sociale; zhvillimi dhe konsolidimi i institucioneve të pavarura të të drejtave të njeriut.
Në përfundim të punimeve të Asamblesë, u zgjodhën organet drejtuese të saj, ku Avokatja e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca u zgjodh me unanimitet Anëtar i Këshillit Administrativ të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve Frankofonë (AOMF).