24 Nëntor 2021

Avokati I Popullit Prezanton Gjetjet E Monitorimit Të Strukturave Vendore Të Mbrojtjes Së Fëmijëve


AVOKATI I POPULLIT PREZANTON GJETJET E MONITORIMIT TË STRUKTURAVE VENDORE TË MBROJTJES SË FËMIJËVE

Institucioni i Avokatit të Popullit përmes Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të fëmijëve dhe me mbështetjen e UNICEF zhvilloi një veprimtari me fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga strukturat vendore.

Pjesëmarrës në veprimtari ishin Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, Komisionerja e SMPDF, Nejla Peka, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë nga grupi i miqve të fëmijëve, nga Agjencia Kombëtare e mbrojtjes së fëmijëve, përfaqësues vendorë, nga organizatat e shoqërisë civile, etj.

Synimi kryesor i këtij aktiviteti ishte prezantimi i gjetjeve, problematikave dhe rekomandimeve, në kuadër të monitorimit të strukturave përgjegjëse të mbrojtjes së fëmijës në disa bashki të vendit, me fokus vlerësimin e kapaciteteve të strukturave vendore, për të garantuar mbrojtje efektive ndaj fëmijëve në nevojë edhe në kontekstin e pandemisë së shkaktuar nga covid-19, në fushën e mbrojtjes së fëmijës dhe ofrimin e shërbimeve të duhura për ta, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Këto rekomandime kanë për qëllim të analizojnë dhe vlerësojnë, nëse parimi i interesit më të lartë të fëmijës është mbajtur si konsideratë parësore në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave vendore dhe, gjithashtu nëse burimet njerëzore, infrastrukturore dhe financiare kanë qenë të mjaftueshme për menaxhimin efektiv të situatës së pandemisë, në mbrojtjen edhe garantimin e të drejtave të fëmijëve.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca u shpreh: “Synojmë sot që këtë tryezë të mos e shndërrojmë në një gjyq për shumëçka që shkon keq në mënyrën sesi të gjithë ne, si shoqëri duhet të bëjmë për fëmijët. Qëllimi ynë është që ky të jetë një forum ndriçimi e angazhimesh.

Hapi i parë për ta zgjidhur një problem, është ta kuptosh se ka një problem. Gjetjet e Seksionit tonë të Mbrojtjes së Fëmijëve, i shërbejnë pikërisht këtij qëllimi: vetëdijësimit mbi ekzistencën e vetë problemit.

Ekzistojnë fatkeqësisht dy Shqipëri sot që flasim. Njëra është Shqipëria që figuron në letra, në dokumente zyrtare, legjislacion dhe infrastrukturë burokratike. Kjo është një Shqipëri perfekte. Në këtë Shqipëri fiksionale, edhe fëmijët jetojnë në një botë ideale. Strukturat janë të ngritura me kujdes e të mirëfurnizuara me burime njerëzore e buxhet. Stafet janë të kualifikuara e të përkushtuara. Gjithçka në këtë botë le ta quajmë, letrare, shkon për bukuri.

Por përveç kësaj ekziston edhe një Shqipëri reale e konkrete. Kjo është Shqipëria e fakteve të prekshme. Përmes njohjes së saj, ne kuptojmë se gjërat nuk janë ashtu siç mund të duken në letër. Inspektimet që kryen Seksioni ynë i Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve janë një vështrim mbi këtë realitet e prej tyre burojnë edhe gjetjet që do të kemi rastin të dëgjojmë sot.

Pas konstatimeve që kryhen në terren, vjen një punë e kujdesshme që ka të bëjë me përpilimin e rekomandimeve që institucioni ynë ua dërgon zakonisht disa adresave përgjegjëse për të rregulluar atë çka u pa se nuk funksionon.

Edhe pse pritshmëritë e qytetarëve janë të larta, rekomandimet janë produkti kryesor i Avokatit të Popullit dhe mjeti I vetëm që ne kemi në dorë për të arritur asgjë më shumë se ndërgjegjësimin e atyre të cilëve u drejtohet ky rekomandim.

Gjithsesi edhe me anë të rekomandimeve, nëse ato ndërtohen me mençuri e administrohen me racionalitet, arrihen rezultate të qenësishme.

Ajo që gjithmonë mundohemi të bëjmë me rekomandimet tona, sidomos kur ato kanë si objekt trajtimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, është të krijojmë me këto rekomandime partneritete dhe jo rivalitete.

Jemi të gjithë bashkë në këtë mision të madh për ta bërë Shqipërinë një vend që i meriton fëmijët që ka. Ndërtimi dhe funksionalizimi i strukturave që ndihmojnë në kryerjen e këtij misioni, nuk duhet parë thjesht si një detyrim ligjor, por edhe si një borxh që ne ua kemi më të vegjëlve të shoqërisë sonë, atyre që do të trashëgojnë çfarë ne bëmë dhe që ju garantoj, nuk do të na falin nëse ne dështojmë”.