23 Nëntor 2021

Një Grup Të Rinjsh Nga Shtresat Vulnerabël Vizitojnë Avokatin E Popullit


NJË GRUP TË RINJSH NGA SHTRESAT VULNERABËL VIZITOJNË AVOKATIN E POPULLIT

Një delegacion i përbërë nga të rinj të komuniteteve vulnerabël, vizituan sot institucionin e Avokatit të Popullit ku u pritën nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm Vilma Shurdha si dhe përfaqësues të tjerë.

Vizita u organizua nga Departamenti i Demokratizimit i Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe kishte për qëllim informimin e të rinjve mbi rolin e institucioneve të pavarura të të drejtave të njeriut në një sistem demokratik, funksionin e tyre si dhe mënyrat e qasjes së qytetarëve te këto institucione në rast nevoje.

Delegacioni kishte në përbërje të rinj nga shtresa të ndryshme, nga Shoqata e të Verbërve, organizatat e pakicave Rome e Egjiptiane, etj.

Avokatja e Popullit adresoi të rinjtë me një mesazh duke u kërkuar atyre të jenë sa më kërkues për të drejtat që u takojnë e për ta shfrytëzuar sa më mirë aksesin në institucionet e pavarura siç është edhe Avokati i Popullit.

Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm Vilma Shurdha i njohu të rinjtë me punën e kryer në këtë institucion në dobi të mbrojtjes së të drejtave të të rinjve nga grupe vulnerabël dhe i ftoi ata të jenë sa më të pranishëm me anë të ankesave dhe sinjalizimit të shkeljes së të drejtave.

Përfaqësuesit e shoqatave të pranishëm në takim, ndanë me institucionin të dhënat e studimeve të ndryshme që ata kishin kryer mbi shtrirjen e të drejtave në komunitetet e tyre si dhe nevojën për t’i zgjeruar këto të drejta.