Perfaqesues Te Avokatit Te Popullit Vizitojne Shtetas Shqiptare Ne Burgjet Greke
Në datat 01-04 nëntor 2021 një përfaqësi e Institucionit të Avokatit të Popullit, kryesuar nga Komisionerja i Mekanizmit Kombëtar Kundër Torturës (MKPT), Ermonela Xhafa dhe me përbërje dy ndihmës-komisionerë të MKPT-së dhe një ekspert i jashtëm, kryen një vizitë zyrtare në Athinë, Greqi, me fokus respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke.
Vizita u krye në zbatim të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2019”, pika 3 e rekomandimeve ku citohet se institucioni në të ardhmen duhet: “Të rrisë angazhimin në mbrojtje të interesave të shtetasve shqiptarë, që banojnë jashtë vendit, duke rritur bashkëpunimin me institucionet homologe”, si dhe, në kuadër të projektit të BE-së “B-COMPETENT” ku marrin pjesë shtetet Shqipëria, Greqia, Italia, Franca, Spanja dhe Mali i Zi.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte interesimi i institucionit tonë në lidhje me gjendjen dhe trajtimin e shtetasve shqiptarë në këto institucione, si dhe njohjen me nevojat dhe ankesat e tyre për krijimin edhe të mundësive për përmirësimin e situatës së tyre aktuale. Vizita u koordinua nga stafi i Ambasadës së RSH në Athinë.
Nga takimet me të burgosurit shqiptarë u evidentuan problematikat lidhur me mos realizimin e kërkesave për transferim, për të vijuar dënimin në Shqipëri; si dhe pamundësia financiare për të paguar avokat mbrojtës (pavarësisht se u ofroheshin avokatë kryesisht nga ministria greke), si dhe pamundësia ekonomike për të komunikuar me familjet si dhe dhe për të kryer shërbime të tjera personale etj
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, MKPT-së, më datë 2 Nëntor zhvilluan takimin me George Makris, Drejtor i Burgut të Grave në Eleona-Tebë si dhe me stafin e tij, duke i vënë në dijeni për arsyet e takimit si dhe me fokusin e veçantë për të takuar gratë shqiptare të cilat vuanin dënimin në atë institucion. Në vijim pasi u mor informacionin e nevojshëm nga Drejtori i këtij institucioni, përfaqësuesit e MKPT-së zhvilluan një takim me një grup grash shqiptare të dënuara, të cilat na shprehën qëndrimin e tyre në lidhje me trajtimin që ju bëhet në këtë institucion, si dhe nevojat e tyre. Stafi i këtij burgu, por veçanërisht shtetaset shqiptare, që vuanin dënimin e tyre pranë burgut të Eleona-Tebë shprehën konsideratën e tyre, pasi që prej 2013 nuk kishin patur vizita apo interesim nga autoritetet e vendit të tyre të origjinës.
Në vijim, më datë 3 Nëntor përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, MKPT-së vijuan takimin në burgun e Koridhaloit (nëndarja e meshkujve), ku aktualisht sipas informacionit zyrtar, vuajnë dënimin 314 shtetas shqiptarë. Fillimisht u zhvillua takim me Maria Stefin, Drejtoren e burgut të Koridhaloit në Athinë, si dhe stafin e saj mbështetës, të cilët na vunë në dijeni mbi gjendjen e të burgosurve dhe mënyrën e organizimit të institucionit të tyre, duke vlerësuar këtë vizitë, duke e konsideruar në veçanti si fillimin e bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare me ato greke, si pak herë në gjithë këto vite.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit u takuan dhe me një grup të burgosurish që vuanin dënimin në këtë institucion, duke u njohur me problemet që ata hasin në vuajtjen e dënimeve në shtetin e huaj, si dhe u bashkëbisedua për lidhur me kërkesat që kishin ndaj shtetit amëtar, për t’u ardhur në ndihmë.
Më datë 4 Nëntor, Komisionerja e MKPT-së Ermonela Xhafa, bashkë me ekipin përfaqësues, zhvilloi takim në Institucionin e Avokatit të Popullit në Greqi, përkatësisht me homologun grek, Ndihmës Avokatin e Popullit për të Drejtat e Njeriut dhe dhe Drejtues i MKPT-së greke, George Nikolopoulos, si dhe ekspertë të MKPT-së Greqi. Nëpërmjet këtij takimi u diskutuan mbi përvojat reciproke të shteteve fqinjë, për sfidat e vitit të fundit për shkak të pandemisë si dhe krijimi i urave të mëtejshme të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona homologe, bashkëpunim i cili do të konsistojë dhe në organizimet e vizitave të përbashkëta inspektuese.
Në përfundim theksojmë se Avokati i Popullit në mbështetje të mandatit kushtetues për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit do të vijojë të zhvillojë kontaktet reciproke dhe vizita të tilla frytdhënëse.