Avokati I Popullit Nënvizon Domosdoshmërinë E Edukimit Si Çelësi Drejt Së Ardhmes
Në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor në Shqipëri, Avokati i Popullit nënvizon rëndësinë që ka edukimi për garantimin e një të ardhmeje të dinjitetshme për qytetarët.
Arsimi është rruga e vetme drejt formimit të një individi e një shoqërie të virtytshme që i njeh detyrimet e të drejtat. Vetëm përmes edukimit cilësor e gjithëpërfshirës të së sotmes mund të aspirojmë që Shqipëria e së nesërmes të jetë një vend më i mirë, më human e më i jetueshëm për ata që do të vijnë.
Investimi në edukim nuk duhet parë si një luks, pasi edukimi është një garanci për kthimin e këtij investimi në trajtën e një shoqërie me më shumë emancipim, më shumë organizim dhe më shumë produktivitet.
Shumëçka nga problematikat që vuan shoqëria e sotme shqiptare, nga intoleranca, padrejtësia, kriminaliteti, paaftësia për integrim në tregun e punës etj, janë rezonancë e një sistemi të dobët e inefikas arsimor të deritanishëm.
Nuk ka zgjidhje më të mirë të një problematike të shkaktuar nga një seri veprimesh të gabuara, sesa ndërprerja e atyre veprimeve që e shkaktojnë problematikën.
Avokati i Popullit u uron nxënësve dhe arsimtarëve suksese në këtë vit shkollor dhe i nxit prindërit ta mbështesin dhe mirëkuptojnë misionin fisnik të shkollës dhe mësuesit e të bëhen aleatë me të, pasi kjo më shumë se gjithçka është ndihma më e madhe që do t’u japin fëmijëve të tyre në rrugën e gjatë për t’u bërë qytetarë të vërtetë të botës.