13 Shtator 2021

Avokati I Popullit Shpreh Gatishmërinë Për Të Ndihmuar Kolegët Nga Institucioni Homolog Në Afganistan


AVOKATI I POPULLIT SHPREH GATISHMËRINË PËR TË NDIHMUAR KOLEGËT NGA INSTITUCIONI HOMOLOG NË AFGANISTAN

Avokati i Popullit nëpërmjet Komisioneres për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve Nejla Peka, realizoi një takim me përfaqësues homologë të Institucionin të pavarur të të Drejtave të Njeriut të Afganistanit, tashmë të akomoduar në vendin tonë.

Në këtë takim u diskutua rreth kërcënimeve vdekjeprurëse me të cilat përballen të gjithë afganët bashkëpunëtorë me forcat aleate në Afganistan.

Në funksion të veprimtarisë së ushtruar prej tyre ata shprehën shqetësimin rreth situatës së krijuar në Afganistan nga vendosja e regjimit taleban, në mënyrë të veçantë të dhunës mizore që ushtrohet ndaj grave dhe fëmijëve.

Gjatë takimit palët u njohën me veprimtarinë administrative të të dy institucioneve homologe duke ndarë eksperiencat dhe praktikat e punës me fokusin kryesor mbrojtjen e fëmijëve dhe grave nga të gjitha format e dhunës nga regjimi taleban.

Gjithashtu, një ndër cështjet e diskutuara në këtë takim konsistoi në rolin e institucionit të Avokatit të Popullit nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet e tjera homologe, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rang global për të bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve në mbështetje të grave dhe fëmijëve të kërcënuar nga çdo formë e dhunës në Afganistan nga regjimi totalitar taleban.

Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri qysh me nisjen e operacionit të pritjes në Shqipëri të të ikurve nga Afganistani është ofruar që të mirëpresë kolegë nga Komisioni i Pavarur i të Drejtave të Njeriut të Afganistanit e t’i ndihmojë ata eventualisht nëse vijnë në Shqipëri.

Avokati i Popullit, institucioni më i madh kombëtar i të drejtave të njeriut në Shqipëri, si pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Institucioneve të të Drejtave të Njeriut (GANNHRI) e ka vënë në dijeni qeverinë shqiptare me shqetësimin e këtij institucioni për jetën dhe sigurinë e punonjësve afganë të Komisionit të Pavarur të të Drejtave të Njeriut i cili është edhe institucioni homolog i Avokatit të Popullit në atë vend.

Avokati i Popullit ka shprehur gatishmërinë për t’u ofruar homologëve afganë edhe infrastrukturën e një zyre, me qëllim vazhdimin e punës nga ana e tyre në misionin e monitorimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut për bashkështetasit e tyre të pranuar me status refugjati në vendin tonë.