Avokati I Popullit Reagon Mbi Ngjarjen Në Pogradec
Avokati i Popullit është njohur përmes raportimeve në media në lidhje me një incident në qytetin e Pogradecit, në të cilin janë përfshirë punonjës të Policisë së Shtetit si dhe një grup shtetasish të huaj, të përshkruar si emigrantë klandestinë të hyrë në vendin tonë. Në pamjet e ofruara nga media, paraqiteshin dy punonjës Policie që mundohen të ndalojnë daljen prej një mjeti të tipit furgon të një numri personash të cilët ndodhen të mbyllur brenda. Gjatë pamjeve shihet një punonjës i Policisë që nxjerr armën e shërbimit dhe kërcënon personat e mbyllur në automjet. Eventualisht personat e mbyllur brenda e shpërthejnë derën e mjetit dhe një numër i madh prej tyre (ndër ta edhe disa fëmijë) del në rrugë, duke nxjerrë në dritë faktin shqetësues të mbajtjes ndoshta të detyruar të një numri të madh njerëzish brenda një hapësire aq të vogël në kushte tërësisht jo-humane, si dhe veprimet e punonjësve të Policisë për ta ndaluar daljen e këtyre qytetarëve nga furgoni, apo edhe mosgarantimin e shoqërimit të tyre në kushte të përshtatshme në komisariat apo qendër pas ndalimit.
Menjëherë, ekspertë të Avokatit të Popullit kanë nisur një hetim në lidhje me këtë ngjarje.
Sipas raportimit të drejtuesit të Komisariatit të Policisë së Pogradecit, u bë e ditur se në datën e sotme, nga punonjësit e Policisë është kapur një automjet, furgon, që transportonte një numër shtetasish të huaj, kryesisht sirianë. Gjatë shoqërimit të këtij automjeti për në Komisariatin e Policisë së Pogradecit personat që ndodheshin brenda këtij automjeti i kanë rënë dyerve me forcë. Automjeti ka ndaluar dhe personat që ndodheshin brenda tij kanë tentuar të hapnin dyert. Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë nga brezi pistoletën për t’i trembuar ata që të mos largoheshin. Pavarësisht këtij veprimi të punonjësit të policisë, klandestinët që ndodheshin brenda furgonit e kanë hapur derën e furgonit dhe janë larguar me vrap në qytet.
Pas këtij veprimi nga Komisariati i Policisë së Pogradecit është organizuar puna për ndalimin e tyre. Deri më tani janë ndaluar 21 persona dhe vazhdon puna për kapjen e të tjerëve. Dy prej të shoqëruarve, një grua shatzënë dhe një person tjetër janë dërguar në spitalin e qytetit për kujdesje shëndetësore.
Në përfundim të veprimeve proceduriale, personat e huaj do të rikthen për në Greqi nga ku kanë ardhur në vendin tonë, ndërsa drejtuesi i automjetit do të procedohet penalisht.
Nga Avokati i Popullit ky rast do të regjistrohet dhe ndiqet duke kryer një hetim administrativ lidhur me zbatimin e procedurave përkatëse nga ana e punonjësve të Policisë se Shtetit ndaj klandestinëve.