30 Gusht 2021

Avokati I Popullit Shënon Ditën Ndërkombëtare Të Viktimave Të Zhdukjes Me Forcë


AVOKATI I POPULLIT SHËNON DITËN NDËRKOMBËTARE TË VIKTIMAVE TË ZHDUKJES ME FORCË

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Forcë, Avokati i Popullit thekson nevojën që shoqëria dhe institucionet tona të bëjnë më shumë për ndriçimin dhe vetëdijësimin ndaj kësaj plage që ende rëndon në ndërgjegjen kombëtare.

Në faza të ndryshme të historisë, por sidomos gjatë 50 vjeçarit të totalitarizmit, një sasi e vlerësuar në disa mijëra qytetarë përjetuan zhdukjen pa lënë gjurmë, përmes praktikave të dhunshme të regjimit diktarorial.

Kjo shkelje brutale e të drejtave të njeriut mbetet ende një padrejtësi për të cilën nuk gjendet dot shpagim, pavarësisht instrumenteve të shtetit në këto tri dekadat e fundit për të ndërtuar mekanizma zbardhjeje, skedimi e kompensimi financiar për pasardhësit e të zhdukurve.

Fati i të zhdukurve me forcë është një detyrim për shoqërinë tonë, pasi përmes sqarimit të tij do të ketë një përkufizim më të qartë të asaj forme qeverisjeje e cila shkaktoi trauma e kosto kaq të larta për shoqërinë tonë, përkufizim ky që mund të ndihmojë që këto forma të mos përsëriten më.

Avokati i Popullit i inkurajon dhe nxit institucionet dhe shoqatat që punojnë në fushën e zbardhjes së fatit të viktimave të zhdukjes me forcë dhe solidarizohet me misionin e tyre.