17 Gusht 2021

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Forumin E Të Drejtave Të Njeriut Në Kopenhagen


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË FORUMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË KOPENHAGEN

Avokatja e Popullit të Shqipërisë Erinda Ballanca mori pjesë në veprimtaritë e Forumit për të Drejtat e Njeriut i cili u zhvillua prej 17-19 gusht në Kopenhagen të Mbretërisë së Danimarkës.

Kjo konferencë është pjesë e “Copenhagen 2021”, eventi më i rëndësishëm i të drejtave të bashkësisë globale LGBTI+, në të cilin kombinohen WorldPride, Eurogames, një program i zgjeruar artistik e kulturor si dhe forumi historik i të drejtave LGBTI+.

Forumi i nivelit të lartë u adresua solemnisht në hapjen e punimeve nga Princesha daneze e Kurorës, Madhëria e saj Mary e Danimarkës.

Krahas Avokates së Popullit të Shqipërisë, e cila ishte në cilësinë e përfaqësueses së institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, pjesëmarrës ishin edhe Natalia Kanem, nënsekretare e përgjithshme e OKB dhe drejtore e UNFPA, Aron le Fevre, Drejtor i Eventit Copenhagen 2021, ministri danez për Bashkëpunimin zhvillimor Flemming Moller Mortensen, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Danimarkësm Karen Elleman në cilësinë e moderatores së takimit, si dhe Komisionerja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut Michelle Bachelet.

Pjesëmarrës në forum ishin edhe përfaqësues të shquar të të drejtave të komunitetit LGBTI nga vende të ndryshme të botës.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mbajti në Forum një fjalë mbi zhvillimin e të drejtave të njeriut e specifikisht atyre të komunitetit LGBTI në Shqipëri, sfidat e mbrojtjes së këtyre të drejtave dhe rolit të institucionit të Avokatit të Popullit në këtë drejtim.

"Ne si shoqëri kemi nevojë për të arritur të krijojmë të gjithë atë kulturë të nevojshme demokratike që i bën njerëzit më të ndërgjegjshëm, politikanët më misionarë, institucionet më të kujdesshme, qytetarët më të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre, dhe për këtë ne duhet të punojmë shumë më tepër për të bërë të njohura të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Kjo është sidoqoftë një rrugë e gjatë. Mbase përvoja mund të na tregojë se asnjë prej të drejtave të njeriut që sot konsiderohen si të mirëqena për shumicën e shoqërive në botën ku jetojmë, nuk është arritur pa një proces reflektiv dhe edukativ i cili ka zgjatur për disa gjenerata. Jemi në mes të këtij itinerari, në një garë me urrejtësit që shpesh përkthehen në shumica votuesish që sjellin në pushtet vullnete nga ato që mund ta rrëzojnë gjithçka është arritur. Kjo është një garë qëndrueshmërie. Dhe sigurisht, mënyra e vetme për ta fituar, është të lodhemi të fundit", u shpreh Avokatja e Popullit Erinda Ballanca në fjalën e saj në Forum.