Avokati I Popullit Preazanton Draft-Raportin E Ri “Për Minimumin Jetik Në Shqipëri”
Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me zyrën e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD) në Shqipëri, prezantoi Draft-Raportin ”Për Minimumin Jetik në Shqipëri” i cili është tashmë i hapur për konsultim publik e më pas do t’i dorëzohet Kuvendit të Shqipërisë.
Në veprimtari u diskutua rreth nevojës që 6 vjet pas një raporti të mëhershëm nga Avokati i Popullit për të njëjtën çështje, autoritetet tona të nisin ta shikojnë me seriozitet perspektivën e përllogaritjes së Minimumit Jetik në Shqipëri, si një instrument për t’u ofruar qytetarëve një jetë me dinjitet sa më pranë standardeve të Bashkimit Europian.
Në prezantimin e Raportit merrte pjesë Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD në Shqipëri Limya Eltayeb, ekspertët e angazhuar në përpilimin e këtij Raporti, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, INSTAT, etj.
Minimumi jetik në Shqipëri, nuk është i përcaktuar në terma konkretë, përveçse si parim në frymën e Kushtetutë sa i përket dinjitetit të njeriut, të drejtave dhe lirive të tij, drejtësisë shoqërore etj. Përpjekjet e përkufizimit të Minimumit Jetik, të filluara dy dekada më parë, nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të prekshëm. Mungesa e këtij definicioni e bën Shqipërinë pjesë të atij grupi vendesh që nuk mund të garantojnë apo sigurojnë në mënyrë efektive burimet e jetesës bazë të qytetarëve.
Megjithë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të reformuar sistemin e mbrojtjes sociale, mungon përkufizimi i minimumit jetik në legjislacionin për mbrojtjen sociale, gjë që ndikon në hartimin e politikave për mbrojtjen sociale, sidomos në përcaktimin e qartë të qëllimit të tyre. Masa e Ndihmës Ekonomike që sigurohet me ligj, nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për ushqimin por edhe për aktivitete të tjera të zhvillimit njerëzor për individët dhe familjet kur ata kanë nevojë për mbrojtje sociale.
Së fundmi, Komisioni Europian ka prezantuar Planin e Veprimit për të Drejtat Sociale i cili thekson se kushdo me të ardhura të pamjaftueshme ka të drejtën e të ardhurave minimale për të garantuar një jetë me dinjitet; ndërsa në BE po diskutohet një nismë legjislative lidhur me miratimin e një Direktive mbi pagën minimale në Bashkimin Europian.
Niveli më i ulët i minimumit jetik në BE është ai i Rumanisë me 193 EUR për frymë. Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria kanë një konvergjencë të ulët me BE sa i përket minimumit jetik, si në legjislacion ashtu dhe në mbulim financiar.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer përpjekje dhe nxitur institucionet shtetërore për përkufizimin dhe matjen zyrtare të minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë. Raporti i vitit 2016 “Llogaritja e Minimumit Jetik” dhe Raporti i vitit 2021 “Për Minimumin Jetik në Shqipëri” janë dy kontribute të drejtpërdrejta që synojnë plotësimin e këtij boshllëku ligjor që ndikon drejpërdrejt në garantimin e nivelit bazë të jetesës për mijëra qytetarë shqiptarë në kushte varfërie.
Vlera e përllogaritur në këtë studim e minimumit jetik në Shqipëri për vitin 2019 është përafërsisht 17,875 Lek. Kjo vlerë është 9,9 % më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa është 45,5 % më e ulët sesa paga minimale.
Avokati i Popullit vlerëson se Minimumi Jetik duhet të sigurojë jetesë dinjitoze me shërbimet bazike dhe duhet t'u mundësojë njerëzve që të marrin pjesë aktive në shoqëri, pavarësisht nga aftësia e tyre për të punuar. Minimumi jetik duhet të bëhet një pjesë kryesore e sistemit kombëtar të mbrojtjes shoqërore dhe shëndetësore. Si i tillë, është e domosdoshme që në formulimin e minimumit jetik të merret në konsideratë dhe të vlerësohet drejt objektivi i sigurimit të ekzistencës së individit në përputhje me dinjitetin njerëzor të parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, në mënyrë të tillë që individit, përpos një jete dinjitoze, t’i mundësohet aksesi minimal në jetën kulturore, sociale dhe politike. Raporti i Avokatit të Popullit mbi minimumin jetik i shërben arritjes së këtij objektivi.
Avokati i Popullit rekomandon që të hartohet dhe miratohet metodologjia për llogaritjen e minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë, që të shërbejë si udhërrëfyes dhe referencë zyrtare për llogaritjen periodike të Minimumit Jetik.
Avokati i Popullit po ashtu rekomandon që përkufizimi i Minimumit jetik duhet të reflektohet në të gjithë paketën legjislative që garanton dhe siguron mbrojtjen sociale në Republikën e Shqipërisë. Të përdoret minimumi jetik në themel të hartimit të politikave sociale për shtresat në nevojë. Gjithashtu, minimumi jetik të përdoret si referencë për të përcaktuar pensionin minimal urban dhe rural, pagën minimale, ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë në meenyrë që të plotësohen nevojat e individëve dhe familjeve jo vetëm për ushqim por edhe për aktivitet të zhvillimit njerëzor që gantojnë përfshirjen dhe avancimit të tij në shoqëri.
Për të avancuar në adoptimin dhe garantimin e minimumit jetik si element i rëndësishëm i të drejtave të njeriut për një jetë me dinjitet Avokati i Popullit do vijojë të komunikojë me shoqërinë civile dhe grupet e interesit që preken drejpërdrejt mbi gjetjet e këtij raporti. Avokati i Popullit, gjithashtu, do të vijojë pa ndërprerë punën për të mobilizuar vëmendjen dhe mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrive të linjës, Bashkimit Europian dhe partnerëve bilateralë për të bërë të mundur që të fillohen dhe finalizohen proçeset legjislative që çojnë tek adoptimi i Minimumi Jetik si instrumenti ligjor, në bazë të të cilit ndërtohet dhe garantohet mbrojtja sociale ndaj shtresave në nevojë në Republikën e Shqipërisë.