14 Korrik 2021

Avokati I Popullit Reagon Mbi Rastet E Raportuara Të Veprimeve Nga Policia Bashkiake


AVOKATI I POPULLIT REAGON MBI RASTET E RAPORTUARA TË VEPRIMEVE NGA POLICIA BASHKIAKE

Institucioni i Avokatit të Popullit është njohur përmes raportimeve në median shqiptare, me dy incidente shqetësuese në të cilat implikohet Policia Bashkiake e Tiranës në raport me sjelljen e saj me qytetarë të moshës së tretë.

Në të dyja rastet, punonjës me uniformë të Policisë Bashkiake paraqiten në pamje teksa dukshëm në tejkalim të kompetencave të tyre sulmojnë fizikisht këta qytetarë me veprime që shkaktojnë deri poshtërim publik të këtyre qytetarëve.

Avokati i Popullit e konsideron të qortueshme dhe tërësisht të papranueshme këtë sjellje arbitrare dhe brutale të një organi si Policia Bashkiake, qëllimi i së cilës, sikurse mund të kuptohet edhe nga fakti se ajo është e paarmatosur, është rregullator e informues e jo represiv apo persekutues.

Institucioni i Avokatit të Popullit i ka regjistruar me iniciativë këto raste e i ka dërguar kërkesë autoriteteve të Policisë Bashkiake të Tiranës për informacion.

Edhe më herët në të kaluarën, Institucioni ynë ka pasur pjesë të hetimit dhe ka përpiluar rekomandime në lidhje me Policinë Bashkiake të Tiranës, por në pjesën më të madhe nuk ka pasur një reagim pozitiv nga ana e këtij organi.

Pas rasteve të fundit, Avokati i Popullit pret nga autoritetet drejtuese të këtij institucioni të mësojë nëse janë vlerësuar dhe analizuar këto raste, në çfarë konkluzioni është arritur e çfarë qëndrimi është mbajtur ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake të përfshirë në këto veprime, si dhe çfarë masash po merren që kjo sjellje agresive e shpërfillëse ndaj të drejtave e dinjitetit të njeriut të mos përsëritet më.