Institucioni I Avokatit Të Popullit Prezanton Në Kuvend Raportin Vjetor
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mbajti para sot para Kuvendit të Shqipërisë fjalimin prezantues të Raportit Vjetor të Institucionit.
Në fjalën e saj para deputetëve të pranishën, Avokatja e Popullit u shpreh:
"I nderuar Kryetar i Kuvendit!
Të nderuar zonja e zotërinj deputetë!
Kam përgjegjesinë dhe njëkohësisht kënaqesinë të prezantoj sot para jush produktin e punës një-vjeçare të institucionit të Avokatit të Popullit, këtij institucioni të administratës shtetërore të cilit Kushtetuta i ka dhënë detyrën e mbrojtjes e garantimit të tëdrejtave të njeriut duke i dhënë në të njëjtën kohë pavarësinë e nevojshme që këtë detyrë ta ushtrojë vetë në interes të qytetarëve.
Viti që përfshin ky raport na përballi me sfida thelbësore për shkak të të cilave pati kufizime të pamendueshme të lirive e të drejtave themelore. Gjendje të tilla janë një sfidë e madhe për shoqëritë demokratike.
Situatat e vështira janë sprovë e aftësisë së çdo shoqërie për të respektuar të drejtat e njeriut edhe në kushte kur të drejtat e njeriut mund të duken si një luks, e për këtë shkak lehtesisht i sakrifikueshëm.
Për shoqëri me demokraci të brishta, menaxhimi i emergjencave natyrore ose shëndetësore në mënyrë të balancuar duke ruajtur ekuilibrin e drejtë midis detyrimit për të ruajtur jetën por pa mohuar në thelb të drejtat e tjera ka qënë një sfidë jo pak e vështirë.
Mirëpo nëse i jemi besnikë qëllimit të shtetit tonë e aspiratave të deklaruara në preambulën e Kushtetutës, procese të tilla si ai i rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019 apo ai i rimëkëmbjes prej pandemisë globale të 2019 lypsen të kenë në qendër të vëmendjes respektimin e të drejtave të njeriut. Me këtë qëllim e frymë ne e kemi ushtruar detyrën tonë gjatë vitit 2020.
Vendosja e kufizimeve në ushtrimin e një sërë të drejtash gjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore si pasojë e pandemisë, mori vëmendje të shtuar nga institucioni i Avokatit të Popullit duke pasur një qasje proaktive për të garantuar se të drejtat e njeriut nuk mund të kalojnë kurrsesi në plan të dytë.
Kontrolli, mbikëqyrja dhe vlerësimi i politikave, veprimtarisë dhe vendimmarrjes së autoriteteve shtetërore gjatë pandemisë ishte veçanërisht i rëndësishëm në kushtet kur veprimtaria parlamentare dhe ajo gjyqësore u pezulluan dhe kompetenca ligjvënëse i kaloi pushtetit ekzekutiv, duke realizuar procesin e kontrollit parlamentar vetëm post-factum.
Mandati kushtetues i institucionit të Avokatit të Popullit në këtë aspekt është zbatuar duke ushtruar njëkohësisht rolin mbikëqyrës dhe atë promovues. Për shkak të situatës pandemike të krijuar dhe masave të marra për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19, përpos marrjes e trajtimit të ankesave, jemi përshtatur me kushtet e reja të punës duke monitoruar çdo ditë lajmet e përcjella nga mediat, si një burim më shumë informacioni si dhe duke mbajtur komunikimin në vijimësi me institucionet përgjegjëse, ndonëse elektronikisht, veçanërisht në muajt e parë të kufizimit të lëvizjeve.
Gjatë vitit 2020 vëmendje e veçantë iu kushtua të drejtave të personave të paraburgosur apo dënuar, grupeve, komuniteteve dhe individëve vulnerabël ose në risk, sistemit arsimor të ndikuar drejtpërdrejt nga masat kufizuese, sistemit shëndetësor, të drejtës së pronës, lirisë së tubimit, lirisë së lëvizjes, mbrojtjes, promovimit dhe të garantimit të të drejtave të fëmijëve, etj.
Përgjatë vitit 2020, institucioni i Avokatit të Popullit ka administruar gjithsej 5537 raste, për ndjekjen e të cilave është vendosur në lëvizje nga ankesat e qytetarëve, nga media ose shoqëria civile. Nga këto raste, është vendosur të kalohet në një hetim të thelluar për 1780 raste.
Ndërkaq, në 256 raste janë konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut për të cilat janë adresuar dhe rekomandimet përkatëse drejtuar organeve të Administratës Publike duke përfshirë atë qendrore dhe vendore. Aktualisht, vijon hetimi administrativ për rreth 607 raste të mbartura nga viti 2020.
Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2020 u riakreditua si institucion kombëtar i të drejtave të njeriut me statusin A, çka shënoi angazhimin dhe plotësimin e standardeve ndërkombëtare të miratuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku parashikohen standardet që shtetet anëtare duhet të zbatojnë për të garantuar një sistem efektiv të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. Rekomandimet shoqëruese të vendimit të akreditimit do të jenë një nga sfidat më të rëndësishme të institucionit të Avokatit të Popullit në të ardhmen. Detyrat apo rekomandimet që parashtrohen pas përfundimit të këtij procesi akreditimi/riakreditimi drejtohen në radhë të parë për shtetet përkatëse dhe institucionet e tyre përfaqësuese si qeveria e Kuvendi, si dhe për institucionet kombëtare për të drejtat e njeriut. Kjo pasi statusi që i jepet një institucioni kombëtar reflekton dhe është treguesi më i qartë i rolit dhe rëndësisë që shteti përkatës i jep një institucioni të tillë. Sipas ketyre rekomandimeve Avokati i Popullit të Shqipërisë duhet t’i kërkojë parlamentit që t’i zgjerojë mandatin e tij në dy drejtime e konkretisht të marrë mandat për të trajtuar shkelje të të drejtave të njeriut edhe në sektorin privat si dhe të ketë të drejtë të shprehur në ligj për t’i propozuar Kuvendit miratimin e konventave apo traktateve ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut. Ne jemi besimplotë se Kuvendi në traditën e lavdërueshme të zbatuar deri më sot në lidhje me marrdhëniet me institcionin e Avokatit të Popullit do të bëjë të mundur plotësimin e këtyre detyrave për të rritur standardin me të cilin Shqipëria do të garantojë të drejtat e njeriut.
Duke respektuar minutazhin gjithsesi të pamjaftueshëm për ta adresuar në mënyrë të qenësishme veprimtarinë një-vjeçare të punës së një institucioni, e aq më pak të një institucioni në një periudhë krize, ju ftoj ta konsideroni këtë Raport që keni në duar, si një përpjekje e përbashkët për ta përmirësuar funksionimin e shtetit tonë, për ta bërë mekanizmin e tij më human e më të drejtë e për t’u dhënë qytetarëve tanë jetën që meritojnë.
Ju faleminderit!"