Gjykata Kushtetuese Shqyrton Kërkesën E Avokatit Të Popullit
Avokati i Popullit në funksion të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Shqipërisë ka parashtruar me datë 18.02.2021 kërkesën e tij para Gjykatës Kushtetuese lidhur me “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut të nenit 8 të ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar”, si edhe “Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij neni, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi, me qëllim parandalimin e pasojave që mund t’u shkaktohet shtetasve nga aplikimi i masave të veçanta nga strukturat e Policisë së Shtetit”.
Seanca plenare u zhvillua sot para trupës së Gjykatës Kushtetuese në praninë e Avokatit të Popullit dhe Drejtorit Ekzekutiv të Komitetit Shqiptar të Helsinkit në cilësinë e kërkuesve, si edhe përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në cilësinë e subjekteve të interesuara.
Në përfundim të debatit dhe administrimit tëtë gjitha provave dhe fakteve të palëve, Avokati i Popullit kërkoi përfundimisht nga Gjykata pezullimin e zbatimit të nenit 8 të ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar”, si edhe shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh sot lidhur me kërkesën tonë për pezullimin e zbatimit të dispozitës objekt gjykimi, duke rezervuar të drejtën për tu shprehur në ditët në vijim lidhur me të dy kërkesat respektive mbi dispozitën objekt gjykimi.