1 Qershor 2021

Avokati I Popullit Dhe Komisionerja E Seksionit Të Mbrojtjes Dhe Promovimit Të Të Drejtave Të Fëmijëve Urojnë Me Rastin E 1 Qershorit


AVOKATI I POPULLIT DHE KOMISIONERJA E SEKSIONIT TË MBROJTJES DHE PROMOVIMIT TË TË DREJTAVE TË FËMIJËVE UROJNË ME RASTIN E 1 QERSHORIT

Me rastin e 1 Qershorit, ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Avokati i Popullit dhe Komisionerja e Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të drejtave të Fëmijëve, bëjnë thirrje për rritjen e vëmendjes ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre në Shqipëri.
Fëmijët janë investimi më i rëndësishëm i një shoqërie, përtej çdo aspirate e kalkulimi politik, ekonomik a gjithçka tjetër. Një jetë më e mirë për fëmijët tanë duhet të shndërrohet në kredon e kujtdo që sot ka pushtet vendimmarrës, ekonomik apo politik në këtë vend.
Dhuna e abuzimi ndaj fëmijëve sikurse dëshmohet edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare e po ashtu edhe në ato të Avokatit të Popullit, mbetet një shqetësim i cili duhet të adresohet me seriozitet e vendosmëri. Një shoqëri ku deri edhe fëmijët janë objekte dhune, abuzimi e keqtrajtimi, sikundër kemi qenë dëshmitarë shpesh këto vite e muaj, është sinjal për një keqfunksionim të thellë e serioz që duhet të riparohet me çdo mjet e çdo kosto.
Avokati i Popullit do të jetë përherë përkrahës i ndryshimit rrënjësor të mjedisit jetësor ku rriten sot fëmijët e po ashtu do të nxisë e shtyjë përpara çdo nismë që mëton përmirësimin e asaj çka i pret fëmijët e së ardhmes.
Gëzuar pra 1 Qershorin të gjithëve, fëmijëve të sotëm e atyre të djeshëm!