17 Prill 2020

Shenim/ Mbi Udhezimet E Kreut Te Gjednj Mbi Mbrojtjen E Te Drejtave Te Njeriut Ne Situaten E Covid-19


SHENIM/ MBI UDHEZIMET E KREUT TE GJEDNJ MBI MBROJTJEN E TE DREJTAVE TE NJERIUT NE SITUATEN E COVID-19

Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut është institucioni më i lartë që garanton respektimin e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë. Në një adresim të ditëve të fundit, kreu i kësaj Gjykate ka nënvizuar nevojën që situata aktuale e shkaktuar nga pandemia globale e Covid-19, të administrohet me kujdes në mënyrë që masat mbrojtëse nga kjo sëmundje të mos merren duke cënuar në mënyrë të shpërpjesëtuar apo të pariparueshme të drejtat e njeriut.


Shqipëria si një nga vendet anëtare të KEDNJ-së, është duke marrë masat e saj në përballimin e gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Avokati i Popullit e gjen shumë të vyer qasjen e GJEDNJ të cilat hedhin dritë mbi interpretimin dhe frymën me të cilën duhet të lexohen detyrimet pozitive dhe negative të shteteve sipas konventes. Të përballemi me sfidën pandemike duke ruajtur vlerat tona: ky duhet të jetë qëllimi ynë sot. Arritja e këtij qëllimi do të kërkojë guxim dhe virtyt. Ka mjaft nga këto vlera sot në Europë, me kusht që të mbrojmë së bashku, institucionet që kemi krijuar me mençuri për këto qëllime. Respektimi i të drejtave të njeriut edhe në kushtet e kufizimeve të imponuara si pasojë e situatës, duhet të mbetet një busull orientuese për vendimmarrjen politike dhe organet ligjzbatuese. E drejta e jetës së njeriut nën kërcënimin e një sëmundjeje është e shenjtë, por një jetë pa të drejta është një jetë po aq e rrezikuar sa edhe ajo nën kërcënimin e epidemisë.

---
Konventa Europane e të Drejtave të Njeriut dhe COVID 1- Sfidat

Të dashur pjesëmarrës,
Së pari, më lejoni të falënderoj dhe përgëzoj ngrohtësisht organizatorët e kësaj E- Konference të rëndësishme. Krijimi i një ideje dhe pikëpamje të plotë e gjithpërfshirëse mbi implikimet e krizës aktuale shëndetësore për shoqëritë dhe demokracitë tona, si edhe ekonominë në përgjithësi është padyshim një nga çështjet më aktuale të ditëve të sotme.
Në fillim të krizës, ishte pothuajse e pamundur të parashikohej gama e gjerë e implikimeve që mund të shkaktonte kjo krizë për të drejtat e njeriut në përgjithësi, por edhe për të drejtat e mbrojtura në veçanti nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Reagimi në mënyrë efektive ndaj kërcënimit që përbën COVID-19 për jetën dhe integritetin fizik, është pjesë e detyrimeve pozitive të Shteteve në lidhje me të drejtën e jetës dhe të drejtën e respektimit të jetës private. Diapazoni i saktë i këtyre detyrimeve bëhet i vështirë për t'u përcaktuar, sepse disa detyrime mund të përcaktohen në nivel vendor dhe është padyshim i nevojshëm edhe bashkëpunimi përtej kufijve.
Për të përmbushur këto detyrime pozitive, Shtetet kanë vendosur kufizime mbi lirinë dhe lëvizjen. Duke patur parasysh përmasat e krizës, kufizime të tilla kanë një qëllim të ligjshëm dhe në bazë të asaj që dimë sot, në shumicën e rasteve, ato duken të jenë proporcionale dhe kështu, të domosdoshme në një shoqëri demokratike.
Sidoqoftë, kufizimet e këtij lloji janë masa të përkohshme, të cilat duhen ndërprerë sa më shpejt që të lejojnë rrethanat. Thënë kjo, mbeten ende një numër çështjesh më specifike të dikutueshme dhe implikimet konkrete të kufizimeve duhet të verifikohen me kujdes. Shembuj të tillë mund të jenë për shembull, baza ligjore për izolimin apo karantinimin, lirimi me kusht i personave nga burgu, etj.
Shtetet gjithashtu mund të kërkojnë të rregullojnë hyrjen e personave në vendin e tyre, si dhe mundësinë e tyre për t'u larguar nga çdo vend, përfshirë edhe vendin e tyre të origjinës. Masa të tilla janë në zbatim tashmë në një shkallë ose në tjetrën në Europë dhe më gjerë. Arritja e një ekuilibri të drejtë midis mbrojtjes së shëndetit publik dhe të drejtave të individëve në fjalë nuk do të jetë gjithmonë e lehtë në këtë fushë të veçantë.
Sa më sipër vlen edhe për ndalimin e tubimeve publike dhe private, megjithëse kufizimet për një periudhë relativisht të shkurtër kohore në këto raste duket se janë proporcionale për shkak të krizës shëndetësore. Sigurimi i informacionit të saktë dhe shmangia e shkaktimit të panikut është thelbësore. Sidoqoftë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm të sigurojmë që kufizimet në të drejtën për të dhënë dhe marrë informacion të jenë në përpjesëtim me qëllimin e ligjshëm për të cilin ato janë vënë.
Masat e marra ose ato që mund të merren, gjithashtu mund të ndikojnë në jetën private dhe familjare, apo edhe të drejtën për t'u martuar. Vizitat e anëtarëve të familjes, kryerja e ceremonive martesore dhe zhvillimi i funeraleve mund të jetë i pamundur në rrethanat e tanishme. Për më tepër, testimi, trajtimi dhe vaksinimi i detyrueshëm mund të krijojë çështje delikate në kuadër të një sërë dispozitash të Konventës. Asnjë masë e tillë nuk duhet të jetë arbitrare. Këto kryesisht do të varen nga nevoja mjekësore dhe respektimi i procedurave të duhura.
Duke pasur parasysh mbylljen e shkollave, gjimnazeve dhe universiteteve, e drejta për arsim sipas Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së është një e drejtë që cënohet në rrethanat aktuale. Edhe pse një mbyllje e tillë duket se është plotësisht e justifikuar, duhet të bëhen përpjekje (dhe janë bërë vërtet nga mijëra mësues dhe profesorë në të gjithë Europën) për të zbutur ndikimin e kësaj mase, në mënyrë që të mos dëmtojë vetë thelbin e së drejtës për arsimim.
Në të njëjtën mënyrë është e kuptueshme që nga situata aktuale ndikohet edhe funksionimi i gjykatave. Në varësi të kohëzgjatjes së krizës shëndetësore, do të ndikohet domosdoshmërisht e drejta për gjykim brenda një afati të arsyeshëm. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në lidhje me të drejtën e aksesit në gjykatë. Edhe një herë, duhet të bëhen përpjekje të arsyeshme për të zbutur këto efekte negative. Në të njëjtën kohë, ky mund të jetë një rast unik në mënyrë që të promovojë e-Drejtësinë (drejtësinë elektronike) si një mjet të vlefshëm për funksionimin efikas të shumë aspekteve të sistemit gjyqësor.
Kjo është pikërisht ajo që po bën në të vërtetë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Duke zhvilluar me shpejtësi sistemin e saj të IT, Gjykata ka qenë në gjendje të merret me efikasitet me një numër kërkesash për masa provizore, përfshirë ato që lidhen me COVID-19. Për më tepër, Gjykata po merret me një numër çështjesh të tjera, veçanërisht ato më urgjente, në mënyrë që të kufizojë, në masën e mundshme, ndikimin e masave të distancimit sociale në funksionimin e saj.
Për mijëra njerëz në të gjithë Europën, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut përfaqëson shpresën e tyre të fundit. Prandaj është detyra parësore që të respektojmë në mënyrë rigoroze masat e sigurisë të nevojshme për të mbrojtur burimet njerëzore, si edhe të përpiqemi fort për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të garantuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Një pyetje më e përgjithshme në lidhje me spektrin e gjerë të kufizimeve të cituara më lart është nevoja e përdorimit ose jo, në kontekstin aktual, e nenit 15 të Konventës. Tashmë është i njohur dhe i vërtetë fakti që një numër vendesh anëtare kanë njoftuar tashmë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për qëllimin e tyre për të përdorur klauzolën e shmangies së Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ekzistojnë një numër argumentesh në favor ose kundër një hapi kaq të rëndësishëm. Nuk dua të mbaj një qëndrim të fortë në këtë debat, aq më tepër që kjo çështje mund të ngrihet në të ardhmen përpara Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sidoqoftë është e rëndësishme të theksohet që të gjitha masat që synojnë luftimin e sëmundjes duhet të jenë gjithmonë të domosdoshmërisht të nevojshme për rrethanën konkrete, me mundësinë për të kontrolluar përshtatshmerinë e tyre dhe proporcionale. Ato duhet të jenë të përkohshme dhe nuk duhet të përdoren kurrë si pretekst për të kufizuar të drejtat dhe liritë themelore që janë thelbësore në një shoqëri demokratike.
Shtetet që po vlerësojnë mundesinë e aplikimit të klauzolës së shmangies, kanë mundësinë që të kërkojnë këshillat teknike të Sekretariatit të Këshillit të Europës, me ekspertizën e tij të konsiderueshme në këtë fushë. Sekretari i Përgjithshëm ka bërë një thirrje të tillë në një rast të veçantë, duke vepruar në frymën e Rezolutës së Asamblesë Parlametare të Këshillit të Europës 2209 (2018). Një qëndrim pozitiv proaktiv në këtë fazë, nga ana e të gjithë atyre që janë të interesuar, sigurisht që do ta lehtësonte detyrën e Gjykatës, e cila do të angazhohet herët a vonë për të rishikuar dhe verifikuar përputhshmërinë e shumicës së masave të jashtëzakonshme të marra.
Kjo krizë shëndetësore është ndoshta e paparë në historinë njerëzore. Ajo na vendos përpara sfidave të mëdha dhe ne duhet të përballemi me to së bashku. Në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut mishëron vlerat themelore të qytetërimit europian të shekullit XXI. Ky instrument, siç interpretohet nga Gjykata Europiane, përmban mjetet ligjore për të trajtuar krizën. Të përballemi me sfidën pandemike duke ruajtur vlerat tona: ky duhet të jetë, sipas mendimit tim, qëllimi ynë sot. Arritja e këtij qëllimi do të kërkojë guxim dhe virtyt. Dua të mendoj se ka mjaft nga këto vlera sot në Europë, me kusht që të mbrojmë së bashku, institucionet që kemi krijuar me mençuri për këto qëllime.