26 Mars 2020

Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Marrjen E Masave Për Të Garantuar Jetesë Normale, Brenda Kushteve Të Vetëizolimit, Për Komunitetin Rom Dhe Egjiptian


AVOKATI I POPULLIT BËN THIRRJE PËR MARRJEN E MASAVE PËR TË GARANTUAR JETESË NORMALE, BRENDA KUSHTEVE TË VETËIZOLIMIT, PËR KOMUNITETIN ROM DHE EGJIPTIAN

Institucioni i Avokatit të Popullit, në ushtrim të mandatit të tij kushtetues, për parandalimin e shkeljes, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në situatën kritike të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia Covid-19, po ndjek nga afër dhe me një vëmendje të shtuar, gjendjen e komuniteteve Rom dhe Egjiptian dhe masat e marra për sigurimin dhe plotësimin e nevojave të tyre bazike të jetesës në këtë situatë të paprecedent.

Prej kohësh kemi vlerësuar se këto komunitete dhe pjesëtarët e tyre, përbëjnë grupe vulnerabël, të pranuar formalisht, por të përjashtuar faktikisht nga sistemi ynë i shërbimeve sociale.

Përjashtimet nga sistemi i ndihmës ekonomike të individëve apo familjeve Rome e Egjiptiane bashkëshoqërohen nga mungesa e regjistrimit të një pjese jo të vogël të tyre, në regjistrat themelorë të gjendjes civile, mungesa e punësimit, punësimi individual "në të zezë" , etj.

Në këtë problematikë të gjerë ekzistuese, masat e marra për të parandaluar infeksionin, të tilla si distancimi shoqëror dhe veteizolimi, rezultojnë të jenë të pamundura, duke e ekspozuar këtë komunitet dhe pjesëtarët e tij, drejt varfërisë ekstreme e cila përshkallëzohet deri në mbijetesë.

Shqetësimet e bëra publike në media, por edhe nga veprimtarë të shoqërisë civile, evidentojnë mungesa të mjeteve të jetesës, artikujve ushqimore, dizinfektantëve, si dhe të trajtimit financiar nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore, të individëve dhe familjeve Rome e Egjiptiane në zonën e Rrapishtës në Elbasan, në fshatin Levan dhe Drizë në Fier, në komunitetet Rome në Korcë, Shkodër etj.

Kjo gjendje paraqitet e njëjtë në të gjithë vendin, duke përbërë nje tregues të qartë se masat e marra nga ana e institucioneve përgjegjëse, rezultojnë të pamjaftueshme dhe jo propocionale për të garantuar një jetesë normale, brenda kushteve të vetëizolimit.

Pikërisht, kësaj gjendjeje ekzistuese të këtyre komuniteteve, duhet që t’i përgjigjen masa konkrete dhe të prekshme, të ndërmarra nga intitucionet shtetërore në nivel qëndror dhe vendor.

Sot nevojitet një vëmendje e angazhim institucional i shtuar, për t'ju përgjigjur nevojave bazike të jetesës së këtyre komuniteteve, e konkretizuar me masa që ndikojnë drejtëpërdrejtë dhe që sigurojnë një standard të pranueshëm jetese në kushtet e kësaj pandemie globale.

Ofrimi i ndihmës shtesë financiare, i mjeteve bazë të jetesës, garantimi i ofrimit të shërbimeve bazë sociale dhe aksesi në këto shërbime për këtë komunitet, do të përbënin disa nga sugjerimet e Institucionit të Avokatit të Popullit, adresuar institucioneve pergjegjëse shtetërore, të cilat do të mundësonin përballimin dhe kapërcimin sa më denjësisht të kësaj situate.

Kjo është një thirrje e fortë që i drejtohet sot të gjithë institucioneve shtetërorë dhe jo vetëm, për të mos lënë pas askënd në këtë situatë të pazakontë, që kërkon ndërveprim, mbështetje dhe solidarizim shoqëror.