25 Mars 2020

Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Vemendje Ndaj Qytetarëve Shqiptarë Të Mbetur Jashtë Territorit Të Vendit


AVOKATI I POPULLIT BËN THIRRJE PËR VEMENDJE NDAJ QYTETARËVE SHQIPTARË TË MBETUR JASHTË TERRITORIT TË VENDIT

Institucioni i Avokatit të Popullit, në funksion jo vetëm të përmbushjes së detyrës së tij kushtetuese, nevojës për të kontribuar ne mënyre konstruktive ne perballimin e situatës së vështirë të krijuar nga përhapja e Coronavirus, po ndjek me prioritet dhe vemendje të veçantë masat e marra nga organet kompetente shteterore lidhur me qytetarët shqiptarë të mbetur jashtë Shqipërisë, e veçanërisht të studentëve të cilëve u janë mbyllur shkollat, konviktet, e kanë mbetur pa mjete jetese.

Duke përshëndetur angazhimin e deritanishëm të autoriteteve shtetërore, situata mbetet ende problematike, pasi duket se ende nuk ka informacion të mjaftueshëm e transparent për këtë çështje. Po kështu, ka pasur disa raste që janë paraqitur edhe në mënyrë elektronike pranë institucionit tonë.

Ne vlerësojmë se një bashkërendim i punës me autoritetet shtetërore në këtë drejtim edhe me institucionin tonë do të rriste mundësinë e informimit më të mirë të këtyre personave për mundësitë e krijuara dhe/ose masat e marra, ndaj kemi marrë masat e nevojshme për të adresuar këtë shqetësim edhe zyrtarisht pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Për sa më lart, bëjmë thirrje që në këtë situatë të vështirë të ketë impenjim konstruktiv të çdo strukture shtetërore për të adresuar sfidat ekstreme me të cilat po përballen qytetarët në mbarë botën, por edhe qytetarët e bashkëatdhetarët tanë.