24 Mars 2020

Institucioni I Avokatit Te Popullit Bën Thirrje Për Forcimin E Solidaritet Shoqëror, Krahas Distancimit Social


INSTITUCIONI I AVOKATIT TE POPULLIT BËN THIRRJE PËR FORCIMIN E SOLIDARITET SHOQËROR, KRAHAS DISTANCIMIT SOCIAL

Të moshuarit kanë nevojë për mbështetje, sot, gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, më shumë se kurrë. Ndaj vëmendja jonë, sot, duhet të orientohet tek të moshuarit në familjet tona, tek të moshuarit që jetojnë të vetëm, si dhe tek të moshuarit, të akomoduar në Institucionet Rezidenciale të Përkujdesit Social.

Pandemia nga koronavirusi (COVID-19), sot është veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe kërcënon në mënyrë disproporcionale të drejtën e tyre për shëndet, si dhe të drejtat e tjera njerëzore.

Distancimi i domosdoshëm shoqëror si objektiv, padyshim do të përkeqësojë problemin tashmë alarmues të izolimit të të moshuarëve. Për më tepër, këta njerëz janë veçanërisht të ekspozuar ndaj varfërisë dhe përjashtimit, si dhe izolimit social, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen e tyre shëndetësore, e veçanërisht mendore.

Fatkeqësisht, pandemia është shoqëruar me një përhapje të komenteve poshtëruese dhe gjuhës së urrejtjes ndaj të moshuarve, të cilat janë shenja të pakënaqësisë në rritje midis brezave.

Situata aktuale gjithashtu nxorri në pah edhe mangësitë e mëdha të institucioneve të kujdesit rezidencial për të moshuarit.

Ka qënë pikërisht ky fakt që ka bërë një sërë institucionesh të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të kërkojnë më shumë vëmendje ndaj moshës së tretë në përgjithesi atyre të pamundur, të braktisur ose me probleme serioze në shëndet në veçanti.

Edhe në mungesë të kërcënimit të një virusi vdekjeprurës, këto institucione shpesh kanë manifestuar raste te mospërmbushjes se standarteve për ofrimin e një shërbimi të përshtatshëm e cilësor.

Në këto kushte, është domosdoshmëri që shoqëria jonë të mendojë mënyra të reja për të stimuluar solidaritetin midis brezave dhe kontaktin shoqëror me të moshuarit, pa i ekspozuar ata në rrezikun e infektimit nga virusi. Nismat dhe veprimtaritë e shumta të OJF-ve, për të promovuar forma inovative të angazhimit shoqëror janë një shenjë inkurajuese.

Ndërkohë që shoqëria civile shpesh reagon me shpejtësi dhe zemërgjerësi në këtë fushë, Qeveria ka për detyrë të mbështesë në mënyrë aktive iniciativat e këtij lloji dhe përgjithësisht përgjegjësinë ndërmoshore (midis brezave).

Duke përshëndetur e mbështetur angazhimin e stafeve të Institucioneve Rezidenciale të Përkujdesit Social për të moshuarit (Shtëpitë e të Moshuarve), të Shërbimit Social Shtetëror si dhe të Njësive të Pushtetit Vendor për garantimin e një jetese normale për moshën e tretë, brenda kushteve të vetëizolimit.

Institucioni i Avokati të Popullit bën thirrje për një angazhim të shtuar të këtyre strukturave në zgjerimin e gamës së shërbimeve sociale të ofruara për këtë kategori, me fokus veçanërisht të moshuarit me aftësi të kufizuar dhe ata që jetojnë të vetmuar.

Aksesi në shërbimet e kujdesit social për këtë kategori të popullatës duhet jetë prioritet. Masat pozitive duhet të përputhen me nevojat e veçanta të kësaj kategorie, e cila sot është veçanërisht në rrezik.

Institucioni i Avokatit te Popullit sugjeron përfshirjen e ndihmës për personat e moshës së tretë, si një ndër arsyet për lejimin e daljes së individëve nga shtëpitë e tyre.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit te Popullit dënon dhe dekurajon, si të patolerueshme e në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, çdo formë sjelleje diskriminuese ndaj ndividëve të moshës së tretë, e evidentuar gjatë kësaj periudhe, duke kërkuar angazhimin institucional të strukturave përkatëse shtetërore për adesimin me korrektësi brenda kontureve ligjore të sjelleve të tilla diskriminuese.

Institucioni i Avokatit te Popullit, vlerëson se situata e krijuar nga pandemia Covid -19, nxorri sërish nevojën për një reformë të mirfilltë të mbrojtjes sociale.

Një sistem i mbrojtjes sociale, që favorizon mbështetje të individualizuar për të moshuarit, dhe në të njëjtën kohë nxit përfshirjen e tyre të plotë në shoqëri, duhet të jetë thelbi i reformës të mbrojtjes sociale.