20 Mars 2020

Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Nevojën E Vëmendjes Mbi Çështjet E Mbrojtjes Të Të Drejtave Të Fëmijeve Në Situatë Pandemie


AVOKATI I POPULLIT BËN THIRRJE PËR NEVOJËN E VËMENDJES MBI ÇËSHTJET E MBROJTJES TË TË DREJTAVE TË FËMIJEVE NË SITUATË PANDEMIE

Një ndër masat e marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e sëmundjes infektive Covid-19 menjëherë pas shpalljes së gjëndjes se pademisë nga OSHB është vetë-izolimi i familjeve në shtëpi. Kjo masë e rëndësishme për garantimin e shëndetit të popullatës ka sjellë problematika të tilla si mungesa e të ardhurave tek familjet në nevojë për garantimin e ushqimit.

Në këtë kuptim, shpallja e situatës së emergjencës me akt normativ të vetëizolimit të popullatës duhet të shoqërohet me masa të veçanta, për të garantuar një jetesë normale, brenda kushteve të vetëizolimit nga institucionet përgjegjëse.

Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve në institucionin e Avokatit të Popullit, mbështetur në parimin e solidaritetit, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë institucioneve shtetërore përgjegjëse në ushtrimin e detyrave të tyre funksionale, pjesë e qenësishme e zinxhirit të sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës, për të përballuar me sukses këtë situatë pandemie, me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e jetës së fëmijëve në përputhje me profilin dhe nevojat e tyre sugjeron:

·      Marrjen e masave nga MASR, gjatë aplikimit të të mësuarit online, për dhënien e informacionit të saktë dhe fakteve të bazuara në shkencë rreth COVID-19. Ky informacion duhet të jetë i gjeneruar vetëm nga autoritetet kompetente dhe të certifikuara nga ligji për të udhëzuar në raste të tilla, pasi do të ndihmojë në uljen e frikës dhe ankthin te fëmijët rreth sëmundjes, duke i mundësuar të përballojnë çdo efekt apo ndikim që do të ketë ky virus në jetën e tyre. 

·      Transmetimet online duhet t’u ofrojnë nxënësve informata jetike për pastrimin e duarve dhe masave të tjera për të mbrojtur veten, të lehtësojnë mbështetje për shëndetin mendor, t’i ndihmojë nxënësit të jenë të sjellshëm ndaj njëri-tjetrit dhe të shmangin stereotipet kur flasin për virusin.

·      Informimi rreth masave mbrojtëse drejtuar fëmijëve, apo mësimdhënja në TV, të realizohet edhe në gjuhën e shenjave, duke u ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuar.

·      Gjithashtu, sugjerohet marrje e masave për monitorimin e mësimit online, në rastet kur fëmijët dhe mësuesit nuk kanë akses në internet ose në telefoni mobile.

·      Kjo problematikë është e pranishme për fëmijët e familjeve që janë në çadra si pasojë e tërmetit që preku vendin tonë me 26.11.2019, si dhe familjet përfituese në skemën e Ndihmës Ekonomike, që kanë akses të kufizuar në internet dhe mediat oline për shkak të mungesës së mjeteve të informimit (psh televizionit).

·      Marrjen e masave nga qeverisja vendore, për identifikimin e familjeve, të cilat kanë në përbërjen e tyre fëmijë që jetojnë në kushte të vështira sociale-ekonomike, për të bërë të mundur mbështetjen e tyre me paketa ushqimore, medikamente, etj, në përputhje me standartet e OBSH, si dhe shpërndarjen e tyre në shtëpitë, ku janë vetëizoluar këto familje.

·      Gjithashtu, qeverisja venndore duhet të marrë masa për dezinfektimin e mjediseve të institucioneve të përkujdesit shoqëror rezidencial, të cilat ofrojnë shërbime sociale për fëmijët në nevojë, fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe në institucionet e privimit të lirisë a paraburgimit, ku trajtohen të miturit në konflikt me ligjin.

·      Marrjen e masave nga bashkitë përkatëse, për sistemimin në mjedise të përshtatshme për fëmijët në situatë rruge, të cilët janë dhe target grupi më i prekur dhe me i ekspozuar ndaj infektimit me COVID-19.

·      Marrjen e masave në krijimin e kushteve për realizimin e një vaksinimi të sigurtë të të miturve, sipas kalendarit të paracaktuar të vaksinimit.

·      Marrjen e masave për të miturit në konflikt me ligjin, të cilët janë duke vujatur dënimet në institucionet e privimit të lirisë për të bërë të mundur aplikimin e programeve rehabilituese dhe/ose të ndërmjetësit për dënimet alternative ose aplikimin e dënimeve alternative të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur. Gjithashtu, aplikimin e masave të shmangies alternative nga dënimi.

Avokati i Popullit shpreh besimin se angazhimi i strukturave shtetërore në mbrojtje të fëmijëve në këtë situatë të vështirë do të jetë maksimal.