18 Mars 2020

Avokati I Popullit Mbështet Masat Kufizuese Por Bën Thirrje Për Përgjegjshmëri Nga Autoritetet


AVOKATI I POPULLIT MBËSHTET MASAT KUFIZUESE POR BËN THIRRJE PËR PËRGJEGJSHMËRI NGA AUTORITETET

Avokati i Popullit i përshëndet masat për kufizimin e qarkullimit të mjeteve e qytetarëve me qëllim ndalimin e përhapjes së epidemisë nga Corona Virusi, por bën thirrje që qeveria ta administrojë me maturi këtë situatë e të mos e përdorë atë për të abuzuar me të drejtat bazike të njeriut.

Kufizimet e përgjegjshme dhe të trajtuara me nevojën e qytetarit në mendje janë veç të dobishme, mirëpo sikundër u bë e qartë edhe në një deklaratë të përpiluar nga ekspertët e Kombeve të Bashkuara, është krejtësisht e mundshme që masat emergjente në kushte emergjente të keqpërdoren për të shtypur tharmin demokratik të shoqërive tona, sidomos të shoqërive si ajo shqiptare që e kanë ende të freskët kujtesën e shtypjes së lirive.

Avokati i Popullit kërkon më shumë humanizëm dhe mirëkuptim nga autoritetet në vendimet e tyre për kufizime e shtrëngime të gjithëfarëllojshme, duke shmangur masat ekstreme kur ato janë të panevojshme.

Qytetarët kanë nevojë për dritare frymëmarrjeje përtej qasjes se atyre u mungon krejtësisht përgjegjshmëria dhe se vetëm ndërhyrjet drastike do të mund t’i ndërgjegjësonin për rrezikun e humbjes së jetës. Kujdes po – teprime aspak!