16 Mars 2020

Duhet Të Respektojmë Të Drejtat E Njeriut Dhe Të Qendrojmë Të Bashkuar Kundër Koronavirusit Pandemik


DUHET TË RESPEKTOJMË TË DREJTAT E NJERIUT DHE TË QENDROJMË TË BASHKUAR KUNDËR KORONAVIRUSIT PANDEMIK

(Deklarata e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviç)

Miliona njerëz në të gjithë botën po jetojnë në kohë jashtëzakonisht të vështira, për shkak të përhapjes globale të virusit COVID-19. Të gjithë mendimet e mia janë me personat e infektuar, familjarët dhe personat pranë tyre, si dhe personat që kanë humbur jetën.

Situata në Evropë po zhvillohet shpejt dhe qeveritë po marrin një numër masash për mbrojtjen e popullsisë. U bëj thirrje të gjithëve – autoriteteve dhe qytetarëve – të bëjnë detyrën e tyre dhe të qëndrojnë solidarë e të bashkuar teksa i përgjigjen sfidave emergjente dhe shqetësimeve që ndajmë të gjithë sëbashku. Qeveritë e vendeve evropiane po luftojnë ndaj përhapjes së pandemisë me masa të forta. Kjo është e nevojshme për t’u përballur me sfidën e paprecedent me të cilën po përballemi. Në të njejtën kohë, është e qartë se gëzimi i të drejtave të njeriut preket nga pandemia dhe masat e marra për përballimin e saj. E drejta e shëndetit, të drejtat ekonomike e sociale, liritë civile dhe politike janë shumë të rëndësishme në kontekstin aktual.

Në këto kushte, është e domosdoshme që autoritetet të marrin masa të cilat nuk shkaktojnë diskriminim dhe që janë porporcionale me synimet e tyre. Aksesi në shërbimet e kujdesit ndaj shëndetit për të gjithë grupet e popullsisë bazuar në të dhëna të sakta mjekësore duhet të jetë prioritet. Masat pozitive duhet të përputhen me nevojat e veçanta të grupeve që janë veçanërisht në rrezik, si personat e moshuar dhe ata të cilët mund të mos kenë sigurim shëndeti. Gjithashtu, u bëj thirrje vendeve anëtare të bëjnë më shumë për të lehtësuar presionin e madh me të cilin po përballen profesionistët e shëndetësisë, në përputhje me pritshmëritë që kanë prej tyre.

Është shumë e rëndësishme që qeveritë të jenë të vëmendshme ndaj veprimeve raciste, ksenofobike ose sitgmatizuese, dhe të mundësojnë akses të gjerë në informacion të paanshëm lidhur me situatën e shëndetit publik, disponueshmërinë e shërbimeve dhe masat e marra.

Në përfundim, u bëj thirrje të gjithë vendeve anëtare, për t’u siguruar se format e komunikimit të jenë të tilla që të arrijnë tek të gjithë njerëzit. Disa qeveri kanë adaptuar kanale komunikimi përmes platformave të mediave sociale, çka është një përpjekje pozitive në këtë drejtim. Transparenca dhe aksesi janë thelbësore për të nxitur besimin e publikut, dhe pjesëmarrjen e tij në menaxhimin e rrethanave aktuale.

COVID-19 përbën një rrezik serioz, por me unitet, vendosmëri për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe solidaritet, do e kalojmë.