18 Shkurt 2020

Avokati I Popullit Viziton Punëtorë Grevistë Në Poçem Dhe Ballsh


AVOKATI I POPULLIT VIZITON PUNËTORË GREVISTË NË POÇEM DHE BALLSH

Përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë vizituar sot dy grupe punëtorësh të cilët janë duke zhvilluar greva urie, për shkak të problemeve me pagat e prapambetura, vijueshmerinë e marrëdhenieve të punës dhe transparencën mbi kontratat e punës.
Avokati i Popullit vizitoi grevistët në Poçem ku po zhvillohet prej 7 ditesh greva e urisë së punonjësve të stacionit të pompimit dhe nënstacionit elektrik. Këto furnizojnë me ujë dhe drita Ballshin dhe fshatrat perreth. Punëtorët kanë hyrë në grevë urie pasi kanë 27 muaj pa u paguar.
Në Ballsh ndërkohë, u vizitua një grup grevistësh të sektorit të naftës, të cilët dy ditë më parë kanë filluar grevën e urisë. Ata shprehen se kanë që në shtator që nuk paguhen dhe nuk kanë dijeni për kontratat dhe marrdhënien që kanë me subjektin i cili ka marrë me qera Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në këtë qytet.
Avokati i Popullit i dëgjoi me vëmendje ankesat e tyre dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të verifikuar nëse ndaj tyre janë shkelur ligjet apo rregullat që garantojnë të drejtat e punëtorëve.