7 Janar 2020

Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Masa Urgjente Në Mbrojtje Të Jetës Së Grave Dhe Vajzave


AVOKATI I POPULLIT BËN THIRRJE PËR MASA URGJENTE NË MBROJTJE TË JETËS SË GRAVE DHE VAJZAVE

Avokati i Popullit në mënyrë të vazhdueshme shpreh shqetësimin mbi situatën e dhunës ndaj grave në Shqipëri, e cila shfaqet në shumë forma si dhunë fizike, emocionale, psikologjike, përdhunime e ngacmime seksuale, përndjekje dhe deri në vrasje siç rastet e fundit të dhunës së ushtruar ndaj grave me pasojë humbjen e jetës së tyre.

Avokati i Popullit e konsideron si shkelje të të drejtave të njeriut dhunën dhe presionin që ushtrohet ndaj grave në vendin tonë, duke nisur nga dhuna në familje dhe deri në dhunën që ushtrohet nga institucionet dhe vetë shoqëria shqiptare.

Pavarësisht se legjislacioni shqiptar për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje është përmirësuar ndjeshëm, ende zbatimi në praktikë i tij le vend për të dëshiruar. Pavarësisht se institucionet përgjegjëse i kanë të përcaktuara shumë qartë masat e duhura që duhet të marrin për mbrojtjen dhe mbështetjen e grave të prekura nga dhuna, përgjigja në kohë dhe me efektivitet ndaj viktimave nuk është ashtu siç përcaktohet në legjislacion.

Avokati i Popullit bën thirrje institucioneve publike, në nivel qendror dhe lokal dhe të gjithë aktorëve të shoqërisë, të bëjnë përpjekje serioze që të kapërcehen stereotipat gjinorë, të kapërcehen sfidat dhe barrierat në mënyrë të tillë që gratë dhe vajzat të gëzojnë të drejta të barabarta në të gjitha fushat, të kenë akses të njëjtë në të gjitha shërbimet e ofruara nga institucionet sociale, të kenë akses në drejtësi, në strehim, arsimim dhe punësim, të sigurojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të merren masa për plotësimin e nevojave të tyre.

Avokati i Popullit konstaton se duhet të vihet theksi sidomos tek parandalimi i fenomenit të dhunës, duke nisur nga edukimi me konceptet e barazisë gjinore dhe të respektimit në mënyrë të njëjtë të të dy gjinive që në lindje, fëmijëri dhe në të gjitha periudhat e rritjes që brenda familjes, të edukimit dhe të formimit në institucionet arsimore, duke siguruar respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave si të drejta të njeriut.

Avokati i Popullit kërkon nga të gjithë institucionet përgjegjëse, anëtare të Mekanizmit të Kordinuar kundër dhunës në marrëdhëniet familjare, jo vetëm të marrin masat e duhura për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna në familje, por edhe të kenë një bashkëpunim më të mirë mes tyre në mënyrë që mbrojtja dhe mbështetja e viktimave të dhunës në familje të jetë sa më e fortë dhe e vërtetë.

Avokati i Popullit u bën thirrje grave dhe vajzave shqiptare të mos hezitojnë për asnjë çast të denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre, brenda dhe jashtë ambientit familjar, duke kërkuar të gjitha masat në mbrojtje dhe mbështetje të tyre të cilat i ka përcaktuar legjislacioni vendas por edhe Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria.

Avokati i Popullit do të vazhdojë të jetë i angazhuar në promovimin e mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave dhe do të shërbejë si një zë I fuqishëm I tyre për të kërkuar zbatimin e të drejtave të tyre në standardin më të lartë.