Avokati I Popullit Shpreh Dhimbjen Dhe Solidaritetin Për Qytetarët E Dëmtuar Nga Tërmeti
Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh dhimbjen dhe solidaritetin me qytetarët që u goditën nga tërmeti i dhunshëm i 26 nëntorit.
Ngjarje si e sotmja me bilancin e tyre tragjik janë momente që duhet të na bëjnë të rivlerësojmë marrdhënien tonë me përmasën njerëzore.
Avokati i Popullit përgëzon institucionet, organizatat si dhe qytetarët e thjeshtë të cilët në këtë ditë tragjike nxorën në pah më të mirën e humanizmit të tyre duke tejkaluar shpesh edhe mundësitë e veta.
Gjithashtu, Avokati i Popullit të Shqipërisë shpreh mirënjohjen për ndihmën dhe simpatinë e miqve tanë ndërkombëtarë, por në radhë të parë për përgjigjen e shpejtë dhe efektive të Republikës së Kosovës, strukturave të saj shtetërore dhe njerëzve të thjeshtë në ndihmë për vëllezërit në Shqipëri në orën e tyre të fatkeqësisë.
Teksa orët e mbrëmjes afrojnë, Avokati i Popullit bën thirrje për shtim të përpjekjeve për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore që të jetë e mundur.
Së bashku, me humanizëm dhe sakrificë, do ta përballojmë edhe këtë ngjarje të rëndë që na ka bërë ta ndjejmë dhimbjen e kujtdo prej të prekurve, si të ishte dhimbja e secilit prej nesh.