Avokati I Popullit Ben Thirrje Per Eliminimin E Te Gjitha Formave Te Dhunes Ndaj Grave
Sot në 25 nëntor - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Gruas si dhe fillimit të Fushatës së 16 ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, që këtë vit ka si slogan “Brezi i Barazisë ngrihet kundër përdhunimit!”, Institucioni I Avokatit të Popullit riafirmon angazhimin e tij për të mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave për nje jetese pa dhunë.
Dhuna ndaj grave mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut sot në botë, të cilën e gjen te shfaqur në çdo shoqëri e në çdo nivel ekonomik apo social.
Një forme dhune e tille konsiderohet një shkelje sistematike dhe e perhapur e të drejtave të njeriut, që kryesisht përjetohet nga gratë vetem për faktin se ato jane gra.
Avokati I Popullit vëren se dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, dhuna seksuale dhe ngacmimi seksual janë probleme të mëdha për shoqërinë shqiptare. Shërbimet e nevojshme psiko-sociale për viktimat e dhunës janë të pamjaftueshme dhe nuk janë të shtrira në të gjithë territorin e vendit. Aksesi I grave në sistemin e drejtësisë është ende një sfidë për të siguruar mbrojtjen ligjore falas dhe në kohën e duhur.
Avokati I Popullit i bën thirrje institucioneve publike, në nivel qendror dhe local, si edhe të gjithë aktorëve të shoqërisë, të bëjnë përpjekje serioze në mënyrë që të kapërcehen stereotipat gjinorë, të kapërcehen sfidat dhe barrierat për të mundësuar që gratë dhe vajzat të gëzojnë të drejta të barabarta në të gjitha fushat, të kenë akses të njëjtë në të gjitha shërbimet e ofruara nga institucionet sociale, të kenë mbrojtje të menjehershme dhe të sigurtë nga policia, të kenë akses në drejtësi, në strehim, arsimim dhe punësim, të sigurojnë që zëri I tyre të dëgjohet dhe të merren masa për plotësimin e nevojave të tyre.
Avokati i Popullit sjell në vëmendje se është shumë e rëndësishme që në Shqipëri të ketë ligje specifike të cilat u garantojnë grave dhe vajzave mbrotje nga të gjitha format e shfaqjes së dhunës ndaj tyre dhe inkurajon e mbështet cdo iniciativë ligjore në këtë drejtim.
Vetëm kur gratë dhe vajzat janë plotësisht të mbrojtura nga dhuna, do të jenë në gjendje të gëzojnë të njëjtin nivel lirie dhe mundësi te barabarta si burrat.
Avokati i Popullit shpreh edhe një herë angazhimin e tij institucional në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave si nje pjesë integrale e thelbësore e te drejtave te njeriut.