1 Nëntor 2019

Zhvillohet Me Sukses Në Vlorë Takimi Rajonal Mes Avokatëve Të Popullit Dhe Komisionerëve Anti-Diskriminim Të Shqipërisë, Kosovës Dhe Maqedonisë Së Veriut


ZHVILLOHET ME SUKSES NË VLORË TAKIMI RAJONAL MES AVOKATËVE TË POPULLIT DHE KOMISIONERËVE ANTI-DISKRIMINIM TË SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE MAQEDONISË SË VERIUT

Më 31 Tetor dhe 1 Nëntor u zhvillua në Vlorë Takimi i Tretë Rajonal midis Avokatëve të Popullit dhe Komisionerëve për Mbrojtje nga Diskriminimi të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në takimin i cili u organizua nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë me bashkëpunimin e Komisionerit Anti-Diskriminim, morën pjesë përfaqësues nga Avokati i Popullit të Kosovës kryesuar nga Avokati i Popullit Hilmi Jashari, nga Avokati i Popullit të Maqedonisë Veriore, kryesuar nga titullari i institucionit Ixhet Memeti, Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë, kryesuar nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca si dhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kryesuar nga Komisioneri Robert Gajda.

Objektivi i këtij takimi të tretë mes Avokatëve të Popullit dhe Komisionerëve për Mbrojtje nga Diskriminimi të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ishte vijimi i diskutimeve mbi çështjet që pritet ta përforcojnë dhe bëjnë edhe më të frytshëm bashkëpunimin ndër-institucional.

Përveç aktiviteteve të tjera, si takime dypalëshe, vizita tematike dhe kulturore në qytetin simbolik të Vlorës etj, takimi u finalizua me formalizmin e bashkëpunimit përmes një memorandumi mirëkuptimi.

Memorandumi shënjon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale ndër-institucionale dhe do të shërbejë si një bazë solide për bashkërendimin e aktiviteteve në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe jo vetëm në vendet respektive.

Ndër të tjera në Memorandum, palët nënshkruese u dakorduan që të shtojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojës dhe ndihmën reciproke.

Gjithashtu ato u zotuan të kërkojnë bashkërisht që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në takimet rajonale ku marrin pjesë institucionet tona, të mbështesin njëri-tjetrin në anëtarësimet në organizma të ndryshme, etj.