24 Shtator 2019

Avokatja E Popullit Pret Grupin E Ekspertëve Të Kie Kundër Trafikimit


AVOKATJA E POPULLIT PRET GRUPIN E EKSPERTËVE TË KiE KUNDËR TRAFIKIMIT

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca priti në një takim Grupin e Ekspertëve të Veprimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore i cili mbikëqyr zbatimin e Konventës së Këshillit të Europës mbi Trafikimin e Qenieve Njerëzore në vendet që e kanë ratifikuar këtë Konventë.

Grupi në fjalë po vlerëson për të tretën herë implementimin e kësaj Konvente nga Shqipëria dhe në këtë kuadër përfaqësuesit e tij janë duke diskutuar me aktorë relevantë në vend.

Avokatja e Popullit u prezantoi anëtarëve të grupit gjetjet e institucionit tonë në lidhje me fenomenin e trafikimit si dhe foli rreth rekomandimeve të përpiluara përgjatë viteve të fundit në këtë drejtim.

Vëmendja e përfaqësuesve të huaj ishte e fokusuar tek aksesi në drejtësi dhe tek mjetet e efektshme për rehabilitimin e viktimave të trafikut njerëzor.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca iu përgjigj interesimit të përfaqësuesve të Grupit mbi zhvillimet në politikat e reja të Shqipërisë në fushën e anti-trafikimit si dhe praktikat e tyre.
Një raport i hollësishëm nga ky Grup i Këshillit të Europës do të hartohet dhe do të vendoset në dispozicion të publikut së shpejti.