7 Prill 2026

Avokati I Popullit, Endrit Shabani Pritet Në Kosovë Nga Kryetarja E Shtetit, Albulena Haxhiu: Të Garantohen Të Drejtat E Shqiptarëve Në Rajon


Avokati i Popullit, Endrit Shabani pritet në Kosovë nga kryetarja e shtetit, Albulena Haxhiu: Të garantohen të drejtat e shqiptarëve në rajon

Avokati i Popullit i Shqipërisë, z. Endrit Shabani, njëherazi president i Organizatës së Avokatëve të Mesdheut (AOM) po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku u prit në një takim të nivelit të lartë nga Kryetarja e Kuvendit dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, znj. Albulena Haxhiu.

Në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja e lirive themelore dhe garantimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon. Z. Shabani theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje të përbashkët dhe proaktive për t'iu përgjigjur sfidave aktuale të të drejtave të njeriut në të dyja shtetet.

Gjatë takimit, në cilësinë e Presidentit të AOM-së, Z. Shabani kërkoi mbështetje institucionale nga Kuvendi i Kosovës për fuqizimin e institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës. Ai nënvizoi se një mekanizëm i pavarur dhe i fortë mbrojtës i të drejtave të njeriut është thelbësor për garantimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Vizita e z. Shabani thellon bashkëpunimin strategjik ndërinstitucional Tiranë-Prishtinë. Agjenda e tij në Prishtinë vijon me takime të rëndësishme dypalëshe me Avokatin e Popullit të Kosovës, z. Naim Qelaj, dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi.