Të Drejtat E Njeriut, Në Themel Të Politikave Publike Avokatja E Popullit Në Konferencën E Universitetit “Luarasi”:Kushtetuta Jonë Flet Qartë – Shteti Ndërtohet Mbi Të Drejta

Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temën “Drejtësia, Siguria dhe të Drejtat e Njeriut”, organizuar nga Universiteti “Luarasi”, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, theksoi rëndësinë e vendosjes së të drejtave të njeriut në qendër të çdo vendimmarrjeje shtetërore.
“Qasja e bazuar në të drejta është thelbësore në çdo politikë sociale apo publike,” u shpreh znj. Ballanca, duke sjellë në vëmendje se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që në preambulën e saj, vendos si qëllim ndërtimin e një shteti të së drejtës që garanton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Ajo shtoi se është e rëndësishme që ky mesazh të përsëritet dhe të jetë pjesë e ndërgjegjes sonë institucionale dhe shoqërore, sidomos në kohë me dinamika të reja që prekin sigurinë dhe të drejtat individuale.
Konferenca mblodhi ekspertë nga fusha të ndryshme për të ndarë perspektiva akademike dhe praktike mbi sfidat aktuale të drejtësisë dhe sigurisë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.