Avokati I Popullit Përshëndet Miratimin E Ligjit Të Ri “Për Barazinë Gjinore”
Avokati i Popullit përshëndet miratimin e ligjit të ri “Për barazinë gjinore”, një hap i rëndësishëm drejt përafrimit të plotë të kuadrit ligjor shqiptar me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Prej vitesh, Avokati i Popullit ka rekomanduar përmirësime të ngjashme me ato të theksuara nga Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe nga grupi i ekspertëve GREVIO, duke kërkuar forcimin e mekanizmave institucionalë për zbatimin e parimit të barazisë gjinore në praktikë.
Barazia gjinore nuk është një çështje ideologjike apo politike, por një e drejtë themelore e njeriut, e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi. Zbatimi i saj i plotë përbën gjithashtu një nga kriteret themelore të procesit të integrimit evropian.
Në këtë kuadër, Avokati i Popullit vlerëson përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor, por njëkohësisht thekson rëndësinë që aktet e kësaj natyre të ndërtohen mbi konsensus të gjerë politik e shoqëror, për të garantuar që zbatimi i tyre të mos pengohet nga polarizimi apo keqkuptimet publike.
Avokati i Popullit do të vijojë të ndjekë me vëmendje zbatimin e ligjit dhe të kontribuojë me ekspertizë, me qëllim që çdo reformë ligjore në këtë fushë të shërbejë realisht.