Avokati I Popullit Forcon Bashkëpunimin Me “Save The Children” Për Mbrojtjen E Të Drejtave Të Fëmijëve Në Shqipëri Dhe Rajon
Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, z. Endrit Shabani, priti në një takim zyrtar delegacionin e lartë të organizatës “Save the Children”, të kryesuar nga Drejtori Rajonal për Lindjen e Mesme, Evropën Lindore dhe Afrikën e Veriut, z. Ahmad Alhendawi.
Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në bashkërendimin e punës mes institucioneve për mbrojtjen e shtresave më vulnerabël, duke u fokusuar veçanërisht te fëmijët në situatë rruge dhe ata të prekur nga proceset migratore. Gjatë diskutimeve, z. Shabani vuri në dukje rëndësinë e veçantë që ky partneritet merr gjatë vitit 2026, periudhë në të cilën Avokati i Popullit i Shqipërisë mban mandatin e Presidentit të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut.
Në nivel kombëtar, Avokati i Popullit prezantoi vizionin për modernizimin e institucionit, duke synuar kalimin nga një qasje pasive në një qëndrim proaktiv. Një vëmendje e shtuar do t'u kushtohet rasteve të fëmijëve që lypin apo jetojnë në rrugë; institucioni nuk do të presë më ankesa formale, por do të ndërhyjë drejtpërdrejt për të kërkuar llogaridhënie nga organet përgjegjëse shtetërore.
Gjithashtu, u diskutua mbi nevojën emergjente për të adresuar braktisjen shkollore dhe situatën e fëmijëve në komunitetin rom, si dhe për thjeshtimin e procedurave të ankimimit, duke i bërë ato më të aksesueshme për moshat e reja përmes platformave të reja digjitale.
Takimi u mbyll me zotimin e palëve për rinovimin e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe hartimin e një plani konkret veprimi, i cili shërben njëherësh si një mbështetje e fortë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.