15 Korrik 2026

Avokati I Popullit I Raporton Kuvendit: Kadastra Institucioni Më Problematik, Refuzon Rekomandimet Tona, Bashkia Tiranë Nuk Është Bashkëpunuese


Avokati i Popullit i raporton Kuvendit: Kadastra institucioni më problematik, refuzon rekomandimet tona, bashkia Tiranë nuk është bashkëpunuese

Avokati i Popullit, Endrit Shabani raportoi sot në Kuvend, përpara Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. 

Ai nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e institucioneve publike nuk bashkëpunojnë me Avokatin e Popullit, as për të dhënë informacion e përgjigje, e as për të pranuar rekomandimet. 

“Zbatimi i rekomandimeve të Avokati të Popullit është gati 21 %, një shifër e ulët për të cilën nuk jam i kënaqur dhe kërkoj ndihmën e këtij Komisioni dhe të Kuvendit që kjo të ndryshojë. Institucioni më problematik që refuzon të zbatojë rekomandimet tona, është Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ndërkohë, nga pushteti lokal, bashkia Përrenjas dhe ajo e Tiranës janë më pak bashkëpunueset”,-tha ndër të tjera z. Shabani. 

I pyetur nga deputetët mbi rolin e tij në protestat e ditëve të fundit, Avokati i Popullit saktësoi se nuk mund të mbajë anë në raport me kërkesat politike të protestuesve, por garantoi se institucioni monitoron sjelljen e policisë në çdo protestë për të garantuar lirinë e tubimit. 

“Kërkesa e aktorëve politikë që Avokati i Popullit të dalë dhe të protestojë më duket një kërkesë që kërkon ta bëjë Avokatin e Popullit palë. Roli i Avokatit të Popullit nuk është ky, por të garantojë të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kam qenë edhe vetë disa herë në komisariate dhe jam takuar me protestuesit, ndërkohë që stafi ynë është duke hetuar 10 raste për tejkalim të përdorimin e forcës nga policia,” - u shpreh z. Shabani. 

Avokati i Popullit kërkoi nga Kuvendi miratimin sa më herët të ligjit të ri për institucionin, me qëllim që të zgjerohen mundësitë për veprim aktiv dhe konkret në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat.