27 Janar 2026

Avokati I Popullit Raporton Mbi Ecurinë E Veprimit Institucional Pas Ankesës Së Banorëve Në Shkozet


Avokati i Popullit raporton mbi ecurinë e veprimit institucional pas ankesës së banorëve në Shkozet

Institucioni i Avokatit të Popullit reagoi menjëherë pas marrjes së një ankese  nga banorë të lagjes nr. 14, Shkozet, Durrës, lidhur me shembjen e banesave të tyre nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, në varësi të Bashkisë Durrës.

Telefonata e ankuesve mbërriti ditën e hënë, më 26 janar, ndërsa menjëherë një ditë më pas, të martën më 27 janar, Avokati i Popullit ngriti dhe dërgoi në terren grupin e inspektimit për të verifikuar nga afër situatën dhe për të sqaruar rrethanat e rastit, duke dëshmuar gatishmëri dhe reagim të shpejtë institucional.

Gjatë inspektimit u raportuan shqetësime serioze lidhur me cenimin e së drejtës së pronës dhe rrezikun e mbetjes pa strehim të disa familjeve, të cilat prej rreth 30 vitesh banojnë në këtë zonë dhe kanë aplikuar për legalizim që në vitin 2006. 

Avokati i Popullit ka dokumentuar ankesat e banorëve dhe gjatë ditëve në vijim, ka zhvilluar kontakte me drejtues të Bashkisë Durrës, duke kërkuar ndërhyrje dhe zgjidhje në përputhje me ligjin.

Institucioni i Avokatit të Popullit do të vijojë ndjekjen e çështjes, komunikimin zyrtar me autoritetet vendore dhe informimin e banorëve, në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të tyre ligjore.