11 Mars 2026

Avokati I Popullit Pret Në Takim Ambasadoren E Zvicrës


Avokati i Popullit pret në takim Ambasadoren e Zvicrës

Avokati i Popullit, z. Endrit Shabani, priti në një takim zyrtar Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj, znj. Ruth Huber. Ky takim shërbeu si një platformë për të rikonfirmuar partneritetin e ngushtë dhe strategjik mes institucionit të Avokatit të Popullit dhe qeverisë zvicerane, e cila vijon të jetë një nga donatorët më të angazhuar në vendin tonë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Gjatë bashkëbisedimit, Ambasadorja Huber shprehu gatishmërinë e plotë të Zvicrës për të vijuar mbështetjen ndaj institucionit përmes programeve të ndryshme zhvillimore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve në nivelin e pushtetit lokal, me synim forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e integritetit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Z. Shabani i paraqiti Ambasadores një pasqyrë të detajuar mbi institucionet që shfaqin problematika në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në këtë kuadër, ai hodhi propozimin që qeveria zvicerane të shqyrtojë mundësinë e kushtëzimit të financimeve për ato bashki të cilat nuk bashkëpunojnë me Avokatin e Popullit.

"Është e domosdoshme që njësitë e qeverisjes vendore të jenë bashkëpunuese, sidomos ato që refuzojnë të zbatojnë rekomandimet tona në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të individit. Transparenca dhe zbatimi i ligjit duhet të jenë parakusht për mbështetjen financiare," u shpreh z. Shabani.

Në përfundim, të dyja palët ranë dakord për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, si një garanci për konsolidimin e standardeve më të larta demokratike dhe përmbushjen e aspiratave evropiane të Shqipërisë.