Avokati I Popullit Priti Ambasadorin E Be, Gonzato: Të Penalizohen Institucionet Që Nuk Zbatojnë Rekomandimet Tona
Avokati i Popullit, z. Endrit Shabani, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato.
Gjatë takimit u theksua vullneti i përbashkët për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi, me synim mbrojtjen e pakompromis të të drejtave të qytetarëve dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Shabani shpalosi vizionin e tij për një institucion më proaktiv, duke vënë theksin te llogaridhënia e administratës publike dhe mbrojtja e qytetarëve që nuk kanë zë. Ai nënvizoi se roli i Avokatit të Popullit do të jetë thelbësor për të luftuar që reformat e vendit të përkthehen në standarde të vërteta evropiane për qytetarët shqiptarë.
Nga ana e tij, Ambasadori Gonzato vlerësoi qasjen e re dhe dinamike të institucionit, dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Bashkimit Evropian, duke e konsideruar Avokatin e Popullit si një partner strategjik në monitorimin e standardeve të Kapitullit 23.
"Mbrojtja e të drejtave në arsim dhe shëndetësi janë prioriteti ynë, pasi aty preket drejtpërdrejt përditshmëria, mirëqenia dhe dinjiteti i çdo qytetari," – u shpreh z. Shabani.
"Krahas kësaj, mbetemi të angazhuar për të ngritur zërin vonesat gjyqësore dhe për të garantuar akses të barabartë në drejtësi. Por kjo kërkon ngritjen e një mekanizmi penalizimi për institucionet publike që shpërfillin rekomandimet e Avokatit të Popullit",-tha Avokati i Popullit.
Për të forcuar më tej demokracinë vendore, Avokati i Popullit mirëpriti propozimin e Ambasadorit Gonzato që ky institucion të ketë një rol aktiv në procesin e ardhshëm të reformës territoriale, për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve lokale.
Në përfundim, palët ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin e tyre përmes projekteve konkrete që rrisin ndikimin e institucioneve të pavarura.