Avokati I Popullit Organizoi Një Takim Të Hapur Me Qytetarët Dhe Drejtuesit Lokalë Në Berat Për Të Adresuar Drejtpërdrejt Ankesat Dhe Problematikat E Tyre
Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi sot një takim të hapur dhe mjaft dinamik në Berat, me qëllim rritjen e bashkëpunimit institucional dhe trajtimin e drejtpërdrejtë të shqetësimeve të komunitetit vendas.
Takimi nisi me fjalët hapëse nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani, Kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Ceca, dhe Prefektja e Qarkut, Valbona Zylyftari.
Më pas, aktiviteti vijoi me një sesion të gjallë pyetje-përgjigjesh, ku qytetarët dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të ngrinin zërin dhe të komunikonin pa ndërmjetës me drejtuesit e lartë.
Qytetarët rrëfyen probleme konkrete që lidhen me çështje si strehimi apo pronat, ndërsa zyrtarët përgjegjës dhanë shpjegime për rastet dhe me nxitjen e Avokatit të Popullit, morën përsipër zgjidhjen e tyre në një kohë të shpejtë.
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, theksoi rëndësinë e llogaridhënies përpara qytetarëve:
"Zyrat tona rajonale synojnë të jemi sa më pranë çdo qytetari dhe të shërbejmë si një urë lidhëse midis komunitetit dhe institucioneve. Nuk mund të ketë mirëqenie apo drejtësi pa një administratë publike që dëgjon me vëmendje dhe mbron të drejtat e qytetarëve."
Në këtë sesion morën pjesë aktive dhe dhanë llogari drejtuesit lokalë të institucioneve më kyçe në qark, si Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë e shërbimeve sociale, strehimit apo ndihmës ekonomike.
Falë komunikimit sy më sy, morën zgjidhje konkrete dy familje: njëra që kërkonte banesë sociale për shkak të kryefamiljarit të verbër, dhe një tjetër që ishte në pritje të privatizimit të banesës dhe heqjes së materialit të rrezikshëm të çatisë prej asbesti.
Avokati i Popullit falënderon qytetarët për besimin e tyre dhe prezantimin e problemeve personale, dhe gjithashtu përgëzon drejtuesit e institucioneve për praninë dhe sipërmarrjen për të zgjidhur çështjet e ngritura në këtë forum.