21 Maj 2026

Avokati I Popullit Angazhohet Për Të Ndihmuar Të Rinjtë Romë Dhe Egjipjanë Të Cilët Mungesa E Shkollës I Penalizon Të Kryejnë Kurse Profesionale


Avokati i Popullit angazhohet për të ndihmuar të rinjtë romë dhe egjipjanë të cilët mungesa e shkollës i penalizon të kryejnë kurse profesionale

Sot, në Ditën Botërore të Diversitetit Kulturor, Dialogut dhe Zhvillimit, Avokati i Popullit priti një grup të rinjsh, mes tyre edhe qytetarë nga pakicat rome dhe egjiptiane, në një bashkëbisedim të mundësuar me ndërmjetësimin e Komitetit të Pakicave Kombëtare dhe Qendrës së Trajnimit Profesional.

Gjatë këtij takimi, Avokati i Popullit, z. Endrit Shabani, i nxiti të rinjtë që të sjellin çdo ankesë apo problematikë të tyre pranë institucionit tonë. 

Një vëmendje e veçantë iu kushtua shqetësimit të ngritur nga vetë pjesëmarrësit, të cilët kundërshtojnë barrierat dhe kushtëzimet aktuale ligjore që nuk i lejojnë të rinjtë pa arsimin bazë të përgatiten profesionalisht duke marrë një zanat.

Z. Shabani u angazhua maksimalisht për të trajtuar me prioritet këtë çështje, duke theksuar diskriminim e dyfishtë me të cilin përballen shumë të rinj romë dhe egjiptianë: një herë duke mos iu garantuar të drejtën për arsim, dhe më pas duke mos iu lejuar një shans të dytë përmes barrierave si kriteret ligjore për kualifikimet profesionale. 

Institucioni i Avokatit të Popullit do të analizojë kuadrin ligjor, me bindjen se integrimi në tregun e punës përmes arsimit profesional është jetik për t’i garantuar çdo të riu mundësi progresi në ekonominë e dijes dhe të edukimit të vazhduar gjatë gjithë jetës