26 Qershor 2026

Avokati I Popullit Inspekton Shtëpinë E Të Moshuarve: Pasuritë E Konfiskuara Nga S.P.A.K Të Kthehen Në Azile


Avokati i Popullit inspekton Shtëpinë e të Moshuarve: Pasuritë e konfiskuara nga S.P.A.K të kthehen në azile

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, inspektoi sot Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë për të parë nga afër kushtet e jetesës së pensionistëve dhe sfidat e këtij sektori në mbarë vendin.

Pas inspektimit, Shabani bëri një propozim konkret: pasuritë e konfiskuara nga SPAK të kthehen menjëherë në shtëpi përkujdesjeje për të moshuarit.

Shifrat e bëjnë propozimin urgjent. Shqipëria ka vetëm 6 qendra publike rezidenciale për të strehuar të moshuarit, me kapacitet 330 vende, ndërsa mbi 60 mijë të moshuar jetojnë vetëm.  Aktualisht nevojat janë më të larta se sa vendet e lira.  Ndërkohë shteti zotëron 63 ndërtesa të konfiskuara nga krimi: hotele, vila, apartamente.

"Vetëm këtë vit SPAK ka konfiskuar 2 milionë euro asete pasuri të krimit dhe korrupsionit. Institucionet publike mund t'i vënë këto prona dhe pasuri në shërbim të të moshuarve," -tha Shabani.

Gjatë inspektimit, Avokati i Popullit konstatoi edhe mungesë stafi mjekësor dhe infermierësh, si dhe mungesë mjedisesh trajtimi për të moshuarit me probleme të rënda shëndetësore.