1 Mars 2026

Avokati I Popullit Monitoron Protestën E Datës 28 Shkurt 2026


Avokati i Popullit monitoron protestën e datës 28 shkurt 2026

Institucioni i Avokati i Popullit monitoroi protestën e organizuar nga Partia Demokratike në mbrëmjen e datës 28 shkurt 2026, e zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, si dhe në disa institucione të tjera shtetërore përgjatë itinerarit të saj.

Grupi i monitorimit inspektoi Komisariatet e Tiranës ku u konstatuan ndalime të përkohshme të personave, përfshirë një të mitur.

Nga monitorimi u evidentuan disa problematika procedurale, veçanërisht në Komisariatin nr. 4, ku personave të ndaluar përkohësisht nuk u ishte dorëzuar karta e të drejtave dhe nuk u ishte garantuar menjëherë e drejta për të kontaktuar familjarët.

Gjithashtu, u konstatua mungesa e sistemit funksional të ngrohjes në ambientet e ndalimit, si dhe mungesa e pranisë së punonjësit psikosocial në rastin e të miturit të ndaluar.

Avokati i Popullit i ka adresuar këto problematika duke lënë rekomandime për Policinë e Shtetit duke kërkuar respektimin rigoroz të të drejtave procedurale të personave të ndaluar.

Avokati i Popullit mbetet i angazhuar në monitorimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve për të garantuar ushtrimin e të drejtës për tubim paqësor.