Respektimi I Të Drejtave Të Fëmijëve", Avokati I Popullit Mirëpret Një Grup Nxënësish Për Të Diskutuar Mbi Këtë Temë
Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, së bashku me znj. Olta Aliaj, Komisionere e Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, pritën sot në ambientet e institucionit një grup nxënësish, të shkollës jopublike “Ylber” në kryeqytet, të cilët po zhvillojnë si pjesë të planit mësimor, disa aktivitete të ndryshme në lidhje me të drejtat e fëmijëve.
Znj. Ballanca, gjatë takimit me nxënësit nënvizoi se përfshirja e fëmijëve në aktivitete të fokusuara në të drejtat e njeriut ka një rëndësi të madhe në nxitjen e ndjenjës së përgjegjësisë, duke qenë se këto iniciativa shërbejnë si mjete të vlefshme arsimore, duke u ofruar fëmijëve një kuptim themelor të të drejtave të tyre që në moshë të hershme.
“Duke marrë pjesë në aktivitete të tilla, fëmijët jo vetëm fitojnë njohuri për të drejtat e tyre, por gjithashtu zhvillojnë një ndërgjegjësim të shtuar për rëndësinë e respektit, tolerancës dhe barazisë. Për më tepër, këto aktivitete kontribuojnë në ndërtimin e një themeli për qytetari të përgjegjshme, duke inkurajuar fëmijët që të bëhen “avokatë” aktivë në shoqëri”, u shpreh ndër të tjera znj. Ballanca.
Fëmijët dhe stafi mësimor që i shoqëronte prezantuan disa nga nismat e ndërmarra në kuadër të kësaj çështje mjaft të ndjeshme.
Ndërkohë, Avokati i Popullit e mirëpret çdo nismë ndërgjegjësuese ku përfshihen fëmijët dhe të rinjtë, gjë që do të konkretizohet me të tjera aktivitete në ditët në vazhdim.