19 Dhjetor 2023

Qëndrimi I Avokatit Të Popullit Në Lidhje Me Papajtueshmërinë E Nenit 377 Të Kodit Civil Me Kushtetutën


Qëndrimi i Avokatit të Popullit në lidhje me papajtueshmërinë e nenit 377 të Kodit Civil me Kushtetutën

Avokati i Popullit, përfaqësuar nga titullarja znj. Erinda Ballanca ka marrë sot pjesë në seancën plenare publike të Gjykatës Kushtetuese ku është marrë në shqyrtim kërkesa e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt: “Shfuqizimi i nenit 377 të Kodit Civil, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë." 

 

Si një Institucion Kushtetues, mbrojtës dhe garantues i respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve në Republikën e Shqipërisë, Avokati i Popullit është thirrur në këtë seancë publike me cilësinë e subjektit të interesuar, për të paraqitur qëndrimin e tij në lidhje me garantimin e të drejtave efektive të shtetasve, për të disponuar në testament pronën e tyre pa kufizime thelbësore. 

Argumentimet ligjore në këtë seancë publike janë adresuar nga Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca e cila ndër të tjera bëri me dije se: 

“Institucioni i Avokatit të Popullit mbështet qëndrimin e shprehur nga Gjykata e Apelit Vlorë, (sot Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë) dhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë se neni 377 i Kodit Civil vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe për këtë shkak ai duhet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese. Ky nen sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, cënon disa nga parimet më të rëndësishme kushtetuese, të sigurisë juridike, të drejtës së pronës dhe të drejtës së jetës private dhe është në kundërshtim me parashikimet dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. 

 

Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se neni 377 i Kodit Civil (lexuar në sinkron me nenin 406 të këtij Kodi), është i papajtueshëm me të drejtat kushtetuese/konventore të sigurisë juridike, të drejtës së pronës dhe të drejtës për jetë familjare, si pasojë e cënimit të parimit të mosdiskriminimit dhe barazisë së shtetasve si dhe mungesës së proporcionalitetit. 

Përsa më sipër Avokati i Popullit mbështet qëndrimin e shprehur të organeve gjyqësore lidhur me shpalljen antikushtetues të këtij neni.