Abuzimet Me Pronat Dhe Ndotja Në Patos-Marinzë, Banorët E Fierit I Ankohen Avokatit Të Popullit
Institucioni i Avokatit të Popullit zhvilloi një ditë të hapur në Fier, ku dëgjoi shqetësimet dhe problematikat e qytetarëve.
Në prani të përfaqësuesve të institucioneve vendore, banorët iu ankuan Avokatit të Popullit për pronat, duke nisur nga mbivendosjet, tek dhënia e tokave për përdorim nga subjektet private.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë aktivitetit ka qenë ndotja e mjedisit në zonën e Patos-Marinzës.
Banorët kërkuan ndërhyrje institucionale, duke argumentuar se ndotja e mjedisit me helme nga kompania po ju sjell dëme fatale në shëndet.
Gjatë diskutimeve u prekën edhe protestat e kohëve të fundit, të cilat u cilësuan një formë e shprehjes së pakënaqësive dhe kërkesës për zgjidhjen e problematikave që prekin komunitetin.
Në këtë kontekst, komisionerët tanë, theksuan rolin e Avokatit të Popullit në monitorimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore, garantimin e së drejtës për tubim paqësor dhe shqyrtimin e ankesave që mund të lindin gjatë zhvillimit të protestave.
Në përfundim, ekipi i Avokatit të Popullit iu ofroi këshillim ligjor qytetarëve të interesuar dhe administroi ankesa ndaj institucioneve shtetërore.
Takimi radhës do të jetë në Dibër, të martën e ardhshme, datë 3 nëntor, ora 11:00 tek Pallati i Kulturës.