Projekt-Buxheti 2024, Avokatja E Popullit Raporton Në Seancën Dëgjimore Të Komisionit Për Çështjet Ligjore
Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca ka raportuar sot gjatë një seance online për Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore mbi projekt-buxhetin për vitin 2024 dhe ecurinë e buxhetit aktual.
Në raportin e saj znj. Ballanca përshkroi në mënyrë gjithëpërfshirëse alokimet financiare dhe prioritetet që synojnë rritjen e kapaciteteve të Avokatit të Popullit, për të përmbushur detyrimin në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Gjatë fjalës së saj Znj. Ballanca evidentoi se jo të gjitha propozimet e bëra janë marrë në konsideratë apo reflektuar në projekt-buxhet dhe për rrjedhojë, kërkoi në mënyrë të argumentuar që të parashikohen disa shtesa dhe ndryshime në buxhetin e institucionit.
Znj. Ballanca vuri në dukje se buxheti i parashikuar garanton përmbushjen në mënyrë efektive të mandadit parësor të Avokatit të Popullit, që është trajtimi i ankesave, konstatim i cili vërehet edhe në progres-raportin e Komisionit Europian. Por ndërsa theksoi rolin jetik të Avokatit të Popullit në promovimin e të drejtave të njeriut, Znj. Ballanca nënvizoi nevojën për një mbështetje thelbësore për ushtrimin e mandatit, duke evidentuar pamjaftueshmëri burimesh financiare në këtë drejtim.
Duke qëndruar në vlerësimët e raportit të BE-së, znj. Ballanca solli në vëmendje se:- “Në raportin e BE në të cilin u vlerësua dhe institucioni i Avokatit të Popullit u parashtruan disa ndryshime ku më thelbësori është zgjerimi i mandatit të Avokatit të Popullit edhe në sektorin privat, i cili përbën një ndryshim që do të kërkojë buxhet dhe staf të shtuar”.
Referuar sfidave bashkëkohore si pasojë e zhvillimeve në rrafshin e emigracionit, Avokatja e Popullit ripërsëriti nevojën për një rritje të buxhetit edhe për forcimin e kapaciteteve njerëzore të institucionit, veçanërisht në seksionin për parandalimin e torturës, i cili ndër të tjera për ushtrimin e detyrave funksionale duhet të zhvillojë gjërësisht inspektime në institucionet ky privohet liria, përtej sistemit penitenciar.
Në përfundim të fjalës së saj, Znj. Ballanca garantoi se Avokati i Popullit mbetet i përkushtuar për menaxhim efikas të burimeve me qëllim adresimin në mënyrë efektive të shqetësimeve të qytetarëve, duke kontribuar në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë.