13 Dhjetor 2023

Pjesëmarrja E Avokates Së Popullit Në Aktivitetin "Jo Feminicidit: Bashkë Kundër Dhunës Me Bazë Gjinore".


Pjesëmarrja e Avokates së Popullit në aktivitetin "Jo Feminicidit: Bashkë kundër dhunës me bazë gjinore".

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca ishte sot pjesë e aktivitetit "Jo Feminicidit: Bashkë kundër dhunës me bazë gjinore".

 

Ky aktivitet i cili u organizua nga znj. Etilda Gjonaj, Reportere e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të KiE për dhunën ndaj grave, nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla dhe me mbështetjen e UN Women, solli sëbashku përfaqësues të lartë shtetërore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

 

Avokatja e Popullit, znj. Ballanca adresoi në fjalën e saj disa çështje me rëndësi referuar feminicidit dhe ndër të tjera u shpreh se: "Në përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhe ndaluar dhunën me bazë gjinore, vëmë theksin në nevojën për një angazhim të dyfishtë. Përtej punës së palodhur ndërgjegjesuese për adresimin e kësaj realiteti tronditës, cdo grua ka një rol kyç në edukimin e brezit të ri. Është e rëndësishme që secila grua të kujdeset për të edukuar një djalë në mënyrë që ai të mos kultivojë ndjenjën e superioritetit ndaj motrës, shoqes, apo kushërirës. Përmes kësaj përpjekjeje të përbashkët, synojmë të formojmë një shoqëri ku gjithkush shikon njëri-tjetrin si pjesë të një tërësie, si bashkëqytetarë të barabartë."

 

Gjatë aktivitetit përshëndeti edhe Ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, Koordinatorja e Përhershme e OKB në Shqipëri, znj. Fiona McCluney, dhe znj. Mischere Kawas, Zëvendes Shefe e Misionit në detyrë në Ambasadën e SHBA.

 

Diskutimet dhe kontributi i palëve të përfshira në këtë aktivitet shënojnë një hap të rëndësishëm drejt një shoqërie pa dhunë.