8 Prill 2020

Avokati I Popullit Kërkon Më Shumë Përfshirje Shoqërore Dhe Barazi Për Komunitetin Rom Në Ditën E Tyre Ndërkombëtare


AVOKATI I POPULLIT KËRKON MË SHUMË PËRFSHIRJE SHOQËRORE DHE BARAZI PËR KOMUNITETIN ROM NË DITËN E TYRE NDËRKOMBËTARE

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje për më shumë vëmendje e rritje të përfshirjes së romëve në shoqëri.

Barazia e të gjithë qytetarëve tanë dhe aksesi i tyre i drejtë në të gjitha shërbimet, pa dallime kulturore, racore apo etnike, janë parakushte të një shoqërie të emancipuar dhe humane.

Kjo ditë na bën të reflektojmë realitetin tonë të përditshem dhe të kuptojmë se Romët, jane një grup në risk, në mungesë të barazisë thelbësore për të drejtat dhe liritë e garantuara nga legjislacioni ynë në fuqi.

Në situatën serioze të krijuar nga pandemia e “Covid-19”, marrja e masave të menjëhershme dhe dinamike për t’iu gjendur pranë dhe për të mbështetur komunitetet rome në të gjithë vendin, marrin një rëndësi të veçantë.

Minoriteti kombëtar Rom është sot një vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare, e cila meriton me shumë vëmendje dhe vlerësim, për ta ndjerë veten të barabartë në çdo fushë të jetës me pjesën tjetër të popullsisë.

Avokati i Popullit është dhe do të mbetet njv mbështetje e fortë dhe përçues i zërit të këtij minoriteti në përpjekjet e tij për të qenë një pjesë e natyrshme dhe vitale e shoqërisë sonë.